Dikur shënonte në Premier League, 50-vjeçari vazhdon ende të luajë futboll

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 14:11 | Futboll

Dikur shënonte në Premier League, 50-vjeçari vazhdon ende

Në një epokë ku futbollistët tërhiqen shpesh para të 40-ave, Jamie Cureton është përjashtimi që sfidon çdo parashikim. Në moshën 50-vjeçare (i mbush në gusht), ish-sulmuesi i Premier League dhe aktualisht trajner-lojtar i Cambridge City, ka vendosur të regjistrohet si futbollist edhe për sezonin 2025-26, me qëllimin për të zhvilluar të paktën një ndeshje pas ditëlindjes së tij të 50-të më 28 gusht, shkruan A2 CNN.

Karriera e Cureton është një rrugëtim i jashtëzakonshëm prej 32 sezonesh, gjatë të cilave ka luajtur për 22 klube në nëntë kategori të ndryshme të futbollit anglez, nga Premier League deri në Essex Senior League. Debutoi për Norwich City në 1994, kur Premier League kishte vetëm dy vjet që ishte krijuar. Që atëherë, ai ka qenë pjesë e ekipeve si Reading, QPR, Colchester, Exeter dhe shumë të tjera, madje ka provuar edhe një aventurë në Korenë e Jugut me Busan I'Cons.

Dikur shënonte në Premier League, 50-vjeçari vazhdon ende

Cureton ka kaluar mbi 1000 ndeshje zyrtare, një arritje që e vendos atë përkrah legjendave si Xavi dhe Raul. Edhe pse nuk e mban më saktësisht numrin, statistikat tregojnë se ai ka luajtur 1075 ndeshje dhe është në vendin e 25-të globalisht për këtë rekord.

Krahas karrierës si futbollist, Cureton ka përqafuar edhe rolin e trajnerit në futbollin jo-profesionist. Pas përvojës si lojtar-trajner me Bishop’s Stortford dhe Enfield, ai tani drejton Cambridge City, një skuadër me ambicie të mëdha për t’u ngjitur në ligat më të larta. Nën drejtimin e tij, klubi kërkon një vend në “play-off” për sezonin e ri.

Përveçse ka dhënë kontribut në fushë, ai ka ndihmuar edhe në rritjen e talenteve të rinj. Midis viteve 2017-2019, Cureton ishte trajner në akademinë e Arsenalit, ku stërviti edhe yllin e sotëm të Anglisë, Bukayo Saka. “Futbolli është gjithçka për mua. Pa të, nuk e di ku do të isha përfunduar”, thotë Cureton me sinqeritet. “Do të doja të luaja një ndeshje të fundit në FA Cup para se të var këpucët përfundimisht në gozhdë”.

Me një pasion të rrallë dhe një karrierë që zgjat prej gati tre dekadash e gjysmë, Jamie Cureton mbetet një shembull frymëzimi për çdo brez futbollistësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos