
Legjenda franceze e futbollit Eric Cantona rikthehet në qendër të vëmendjes me dokumentarin e ri “Cantona”, i cili do të prezantohet në festivalin prestigjioz të Kanës. Filmi sjell historinë e pesë sezoneve të paharrueshme të ish-sulmuesit te Manchester United, duke u fokusuar te ngritjet, konfliktet dhe rikthimi i tij spektakolar pas episodit më kontrovers të karrierës.
Dokumentari është realizuar nga regjisorët David Tryhorn dhe Ben Nicholas, të cilët kanë përdorur pamje arkivore dhe intervista ekskluzive për të ndërtuar portretin e një prej figurave më enigmatike të futbollit modern. Në film shfaqen edhe intervista me ish-trajnerin legjendar Alex Ferguson dhe ish-shokun e skuadrës David Beckham.
Pjesa më dramatike e dokumentarit lidhet me incidentin famëkeq të vitit 1995, kur Cantona goditi me shqelm një tifoz të Crystal Palace gjatë një ndeshjeje të Premier League. Për këtë veprim ai mori një pezullim 8-mujor dhe rrezikoi edhe burgun.

Megjithatë, sipas filmit, ishte mbështetja e Ferguson që e bindi francezin të mos largohej përfundimisht nga futbolli. Vetë Cantona, tashmë 59 vjeç, vazhdon të mbrojë veprimin e tij kontrovers. Në dokumentar ai shprehet: “Duhej ta kisha goditur edhe më fort, sepse e meritonte”. Regjisorët e përshkruajnë marrëdhënien mes Cantona dhe Ferguson si një “histori dashurie” sportive që ndryshoi historinë e Manchester United.

Filmi sjell gjithashtu anën artistike dhe filozofike të ish-futbollistit, me pamje të rralla nga fëmijëria e tij në jug të Francës dhe momente intime larg futbollit. (A2 Televizion)