
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, ka mbërritur në Uashington për një seri takimesh me zyrtarë të lartë amerikanë, ku në fokus pritet të jenë negociatat lidhur me Iranin dhe stabilitetin rajonal.
Lajmi u konfirmua nga Hamad al-Muftah, zëvendësshef i misionit në ambasadën e Katarit në SHBA, i cili deklaroi:
“Jam i kënaqur t’i mirëpres paqebërësit në Uashington, DC – Shkëlqesinë e Tij Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Katarit.”
Sipas raportimit të medias amerikane Axios, kryeministri i Katarit pritet të zhvillojë bisedime me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, ku do të diskutohet mbi negociatat me Iranin.
Ndërkohë, një burim i AFP-së bëri të ditur se në takim do të trajtohen edhe marrëdhëniet SHBA-Katar, situata në Iran, tregjet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe çështjet e sigurisë rajonale.
Vizita vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe përpjekjesh diplomatike për uljen e tensioneve në rajon. (A2 Televizion)