Edicioni i ri i Europa League, Manchester United, Lazio e Roma në fushë

Nga Erald Kodhelaj
25 Shtator 2024, 11:52 | Futboll

Edicioni i ri i Europa League, Manchester United, Lazio e Roma në

Pas Champions League, është radha e Europa League që të ngrejë siparin. Disa emra të rëndësishëm të futbollit kontinental do të zbresin në fushë. Duke nisur nga Manchester United që kërkon lavdinë në arenën ndërkombëtare.

“Djajtë e Kuq” debutojnë kundër Twentes në “Old Trafford”. Fitorja e tyre e fundit në këtë turne daton në vitin e largët 2017 dhe Ten Hag synon me ngulm të fitojë të tjerë trofe, pasi e udhëhoqi skuadrën drejt suksesit në FA Cup vitin e kaluar, ku mposhti rivalët e Manchester City në finale.

Mbrëmjen e kësaj të mërkure në fushë zbret edhe Roma. Verdhekuqtë e nisin edicionin në “Olimpico” kundër Athletic Bilbao. Kjo do të jetë ndeshja e parë në Europë me trajnerin Ivan Juric, i cili debutoi gjatë fundjavës me fitoren 3-0 ndaj Udineses.

Spanjollët në anën tjetër vijnë nga suksesi 3-1 përballë Celta Vigos dhe me tre fitore radhazi renditen në vendin e tretë në La Liga. Ylli i Athletic, Nico Williams do të jetë edhe rreziku kryesor për Romën.

Paralelisht do të luajë edhe Lazio, e angazhuar kundër Dinamo Kiev, në fushë asnjëanëse në “Volksparkstadion” të Hamburgut. Bardhekaltërit e drejtuar nga Baroni kërkojnë rezultat pas humbjes në kampionat me Fiorentinën, në një ndeshje që kuqeziu Elseid Hysaj do ta ndjekë nga televizori pasi është lënë jashtë skuadre.

Faza e Europa League nis këtë 25 shtator dhe përfundon më 30 janar 2025. Në skemën e re si të Champions-it, në muajin shkurt do të luhen ndeshjet “playoff”, ndërsa faza e 1/8 është planifikuar në mars. Finalja për trofeun do të luhet më 21 maj 2025, në stadiumin “San Mamés” të Bilbaos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos