Futbolli shqiptar në Ligën e Kampionëve pati një mbrëmje me dy fytyra. Nga njëra anë, Egnatia e Rrogozhinës i dha një goditje të rëndë vetes dhe prestigjit të Superiores, duke u eliminuar në mënyrë turpëruese që në turin e parë. Nga ana tjetër, Shkëndija e Tetovës dhe Drita e Gjilanit arritën fitore historike, duke mbajtur gjallë shpresat e klubeve shqiptare në arenën evropiane.
Egnatia, kampionia e Shqipërisë, që dukej e favorizuar pas fitores 1-0 në sfidën e parë në shtëpi, u shkatërrua plotësisht në ndeshjen e kthimit përballë islandezëve të Breidablik. Në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë për nga gabimet amatoreske, Egnatia pësoi katër gola që në pjesën e parë, me mbrojtje të shpërbërë dhe organizim tërësisht të munguar. Në vend që të menaxhonte avantazhin, skuadra shqiptare u dorëzua pa kushte, duke lehtësuar misionin e vendasve që shënuan edhe golin e pestë në pjesën e dytë. Një kthim në Shqipëri me “thesin” plot gola të pësuar dhe një zhgënjim që lë shumë pikëpyetje për nivelin real të futbollit tonë kampion.
Ndërkohë, Shkëndija e Tetovës siguroi kualifikimin në një ndeshje dramatike në Shkup përballë TNS nga Uellsi. Pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë, “kuqezinjtë” fituan 2-1 pas vazhdimeve, falë një autogoli të kundërshtarëve në minutën e 116-të. Skuadra tetovare tani përballet me Steaua Bukuresht në turin tjetër.
Për futbollin kosovar, nata u mbyll me një faqe të artë, Drita u bë klubi i parë nga Kosova që kalon raundin e parë të Ligës së Kampionëve. Skuadra nga Gjilani mposhti Differdange në Luksemburg 3-2, duke fituar me rezultat të përgjithshëm 4-2. Një fitore që dëshmon se futbolli kosovar po ngjitet me hapa të sigurt në Europë. (A2 Televizion)