Eliminohen Dinamo dhe Egnatia, rrogozhinasit kanë ende një shans për në Conference League

Nga A2 CNN
27 Gusht 2026, 22:16 | Futboll

Egnatia nuk ka arritur dot të sigurojë kualifikimin historik për në Europa League. Koha e rregullt ndaj Lillestrom në Norvegji është mbyllur në barazim 1-1, por vendasit fituan 2-1 pas kohës shtesë prej 30 minutash.

Egnatia gjeti golin në minutën e 33-të, ku pas një krosimi të Fernando Medeiro nga goditja e këndit ishte Eljon Sota që shënoi me kokë.

Pjesa e parë u mbyll 0-1 për rrogozhinasit. Egnatia dominoi kundërshtarin edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 62-të, Alessandro Albanese provoi të shënonte një supergol nga distanca, por ishte i pafat pasi topi përfundoi jashtë.

Në minutën e 75-të, Albanese provon sërish golin, por portieri kundërshtar tregohet i vëmendshëm duke devijuar goditjen e tij në fund. Në minutën e 82-të, vendasit barazuan shifrat 1-1, me golin e shënuar nga Sander Foss, pas asistit të Ylldren Ibrahimaj.

Koha e rregullt mbyllet 1-1. Ndeshja shkon në shtesën prej 30 minutash. Në minutën e 4-të të shtesës prej 30 minutash, vendasit gjetën golin me Thomas Olsen, i cili shënoi me një goditje të mprehtë, pas një krosimi në zonë nga Seund Akanji. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Lillestrom fiton 2-1.

Pavarësisht humbjes dhe eliminimit nga Europa League, Egnatia do të vazhdojë rrugëtimin e saj në Europë në Conference League, ku nesër do të mësojë edhe kundërshtarët.

Mbrëmje e pafat edhe për Dinamon, që, pavarësisht një paraqitjeje shumë dinjitoze, është eliminuar pa arritur dot të shkojë në grupet e Conference League, pas humbjes 4-2 ndaj Pafos, në kohën shtesë.

Blutë e drejtuar nga Ilir Daja gjetën avantazhin që në minutën e 8-të, ku pas një aksioni të shpejtë dhe një rrëmbimi fantastik të topit nga kundërshtari të Malomo dhe asistit të Silva Richard, ishte David Fadairo, i cili dërgoi topin në rrjetë.

Vendasit barazuan shpejt shifrat në minutën e 12-të, ku Ken Sema shënoi nga distanca. Topi përfundoi në rrjetën e Aldo Teqja, i ndikuar edhe nga një devijim. Dinamo pretendoi për faull ndaj Malomo gjatë aksionit, por për me arbitrin ishte në rregull.

Pjesa e parë mbyllet 1-1. Goli i avantazhit për vendasit do të vinte në minutën e 78-të me Nikolas Ioannou, i cili shënoi me kokë, pas një krosimi në zonë. Blutë nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat 2-2 në minutën e 88-të me Silva Richards, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit.

Koha e rregullt mbyllet 2-2. Duke qenë se edhe ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1, të dy ekipet shkojnë në shtesën prej 30 minutash. 

Goli vendimtar për skuadrën qipriote u shënua në minutën e 116-të nga Domingos Quina. Anderson Silva shënoi golin e katërt për vendasit në minutën e 120-të. Rezultati final, Pafos-Dinamo 4-2. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos