“Matet performanca e gjithsecilit”, Berisha prezanton platformën: Nuk pranohet më letargji

Nga Anesti Barjamemaj
27 Gusht 2026, 22:43 | Politikë

Mbledhjen e parë në nisje të sesionit të parlamentar, Sali Berisha e zhvilloi me Këshillin Kombëtar. Ripërtëritja ishte kryefjala e fjalimit të liderit demokrat para forumit më të lartë drejtues.

Kërkoi anëtarësime të reja, duke u dhënë të gjithë të tijve një mesazh të qartë. “Nuk pranohet më letargji në radhët tona. Jo!”.

Këshillin Kombëtar, Berisha e kishte thirrur për t’u prezantuar një platformë të ndërtuar bashkë me Institutin Republikan Amerikan për komunikimin dhe digjitalizimin, ku zgjodhi të lexoi para anëtarëve pjesë të dokumentit që tregonin problematikat e konstatuara brenda selisë blu.

“Partia aktualisht nuk funksionon si një sistem operativ i integruar. Flukset e komunikimit janë të fragmentuara, përgjegjësitë nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme. Mjetet joformale të komunikimit kanë zëvendësuar gradualisht kanalet formale dhe duke bërë këtë, kanë sjellë shpejtësi pa kontroll dhe akses pa qartësi”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Kritikat e kryedemokratit vijuan edhe për mospërdorimin e rrjeteve sociale. “Nuk mund të thuash ç'më duhet mua TikToku”.

Teksa vijoi të lexonte pjesë nga platforma, Berisha tha se në shumë raste mesazhet nuk zbatohen nga anëtarët por interpretohen. Me nisjen e zbatimit të këtij projekti për komunikimin do të nisë edhe matja e rezultateve për gjithsecilin.

“Ky sistem do të ofrojë strukturën përmes së cilës vendimet përkthehen në mesazhe, mesazhet në veprime të koordinuara dhe veprimet në rezultate të matshme. Tani edhe kjo shprehja këtu domethënë 'rezultate të matshme', kjo kërkon që secili nga ne të matet për rezultatin”, shtoi Berisha.

Në fjalën e tij të gjatë para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Berisha tha dhe një porosi sa i takon reformën territoriale, ku kërkoi jo vetëm protesta por nisjen e një procesi për referendum për kompozimin e hartës së bashkive. “Protesta po e po, firma në mbrojtje të njësive të qeverisjes vendore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos