
UEFA ka nisur procedurat ligjore për ndjekje penale ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, lidhur me planin tashmë të braktisur për t’u shitur investitorëve privatë pjesë të të drejtave tregtare të Kupës së Botës dhe kompeticioneve të tjera.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BBC Sport, UEFA i është drejtuar një gjykate në Florida për të kërkuar akses në prova dhe dokumente që synon t’i përdorë në procedimet e mundshme penale në Zvicër ndaj Infantino-s dhe FIFA-s.
Në kërkesën e saj, UEFA pretendon se Infantino e kishte ideuar skemën me synimin për të pasuruar veten dhe një rreth të ngushtë investitorësh të mundshëm, përcjell A2 CNN. Sipas organizatës europiane, plani do t’u mundësonte investitorëve të merrnin një interes financiar të përhershëm nga dega tregtare e FIFA-s, duke dëmtuar interesat e organizatës, federatave anëtare dhe aktorëve të tjerë të futbollit.
UEFA pretendon gjithashtu se plani u miratua në mënyrë të nxituar dhe pa konsultime të mjaftueshme. Sipas dokumenteve, disa drejtues dhe punonjës të FIFA-s nuk kishin dijeni për projektin deri pak orë para se të kërkohej miratimi i tij.
Një tjetër pretendim lidhet me vlerësimin e aseteve që do t’u shiteshin investitorëve. UEFA thotë se vlera nuk ishte verifikuar në mënyrë të pavarur dhe se marrëveshja do t’u ofronte investitorëve një interes në degën tregtare të FIFA-s për rreth 4,2 miliardë dollarë, duke e vlerësuar atë në vetëm rreth 20 miliardë dollarë.
Sipas UEFA-s, kjo vlerë nuk ishte rezultat i një ankandi konkurrues dhe nuk ishte testuar nga një vlerësues i pavarur.
Në dokumente thuhet se UEFA dhe palë të tjera po përgatiten të paraqesin në Zvicër akuza penale për “keqmenaxhim kriminal” ndaj Infantino-s dhe, potencialisht, zyrtarëve apo këshilltarëve të tjerë të FIFA-s.
UEFA pretendon se 55 federatat e saj anëtare mund të ishin dëmtuar nga skema dhe se procesi ishte zhvilluar në mënyrë konfidenciale, pa konsultuar UEFA-n, konfederatat e tjera apo 211 federatat anëtare të FIFA-s.
Plani u bë publik më 28 korrik 2026, kur Infantino njoftoi krijimin e një strukture të re, FIFA Forward Enterprise, ku do të transferoheshin të drejtat tregtare të Kupës së Botës për meshkuj dhe femra, si dhe të Kupës së Botës për Klube.
Sipas UEFA-s, projekti ishte zhvilluar në fshehtësi prej më shumë se një viti nga Infantino dhe një grup i vogël bashkëpunëtorësh, pa dijeninë e institucioneve kryesore të futbollit europian dhe botëror.
Procedurat e nisura në Florida synojnë sigurimin e dokumenteve dhe provave që UEFA mund t’i përdorë më vonë në Zvicër, ku mund të kërkojë hapjen e procedimeve penale ndaj drejtuesve të FIFA-s. (A2 Televizion)