Europa League/ Liverpool, Roma e Atalanta shohin kualifikimin

Nga Erald Kodhelaj
9 Nëntor 2023, 13:00 | Futboll
Europa League/ Liverpool, Roma e Atalanta shohin kualifikimin

Europa League nis gjysmën e dytë të fazës së grupeve, me sfidat e raundit të katërt. Edhe pse ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, disa prej skuadrave më të mëdha mund të sigurojnë kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

Liverpool, Roma, Atalanta apo edhe Bayer Leverkusen janë mes ekipeve që pritet të mbyllin garën prej kësaj të enjteje. “Reds” janë shfaqur si një skuadër dominuese, duke i fituar tri ndeshjet e para në Grupin E.

Për të siguruar kalimin më tej, atyre do t’u mjaftonte vetëm një pikë përballë Toulouse në “Anfield Road”. Megjithatë, vendi i parë nuk do të ishte i sigurt nëse Royale Union mposht LASK në Austri.

Atalanta sfidon Sturm Graz për të vulosur kualifikimin, edhe pse do vijojnë luftën për fitimin e grupit D. Bergamaskët kryesojnë me 3 pikë avantazh nga Sporting Lisbona dhe Sturm, por nëse mposhtin austriakët do të ishin në avantazh në duelet direkte.

Edhe Roma kryeson grupin G me pikë të plota pas tri ndeshjeve. Skuadra e Jose Mourinho luan në trasfertë me Slavia Praga, që është edhe ndjekësja më e afërt në renditje. Verdhekuqtë kanë shansin e parë të mbyllin garën. Me një fitore, Slavia do ta ketë të pamundur t’i arrijë në vendin e parë.

Për kualifikimin luan edhe Bayer Leverkusen në trasfertën me Qarabag e Redon Xhixhës, me synimin për ta rritur në 6 pikë diferencën nga azerët.

Duel tejet interesant ai ndërmjet Ajax dhe Brighton. Holandezët duhet të fitojnë, pasi ky është shansi i fundit për t’u futur në garë, të ndihmuar edhe nga fakti që Grupi B është tejet i ekuilibruar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos