Formacioni i mundshëm, Dinamo dhe Egnatia një hap larg historisë

Nga Dea Kozma
26 Gusht 2026, 13:28 | Futboll

Formacioni i mundshëm, Dinamo dhe Egnatia një hap larg historisë

Të enjten mbrëma, Dinamo dhe Egnatia luajnë ndoshta 90 minutat më të rëndësishme të këtij rrugëtimi europian. Dy skuadra shqiptare, vetëm një ndeshje larg fazës së ligës, me historinë që pret të shkruhet.

Egnatia udhëton në Norvegji për përballjen e kthimit me Lillestrom, pas barazimit pa gola në Rrogozhinë. Një rezultat që e lë gjithçka të hapur, por që i jep skuadrës së Nevil Dedes besimin se kualifikimi është plotësisht i mundur, shkruan A2.

Rrogozhinasit kanë luksin e dy formacioneve konkurruese. Megjithatë, Dede pritet t’i qëndrojë skemës së përdorur në sfidën e parë. Edhe formacioni i dytë dha sinjale të forta, duke mposhtur 3-0 Tiranën, ndërsa në Norvegji, mungesë e sigurt mbetet Bakayoko.

Në anën tjetër, Dinamo zbret në Qipro përballë Pafos, pas atij barazimi 1-1 në Elbasan. Gjithçka mbetet e hapur dhe kryeqytetasit e dinë se nuk ka vend për justifikime. Ilir Daja është një trajner që e njeh mirë këtë skenë. Me Skënderbeun e çoi skuadrën në grupet e Europa League, ndërsa me Ballkanin u bë dy herë radhazi pjesë e fazës së grupeve të Conference League.

Lorran mbetet jashtë listës së UEFA-s, ndërsa shqetësim ka pasur edhe për gjendjen gripale në kampin dinamovit. Por lajmi i mirë është se Dita, Vila dhe Manellari rezultojnë në listën zyrtare për transfertën në Qipro, pavarësisht kartonëve në ndeshjen e parë. Rregullorja e aktivitetit parashikon që çdo dy ture të luajtura nga një ekip, lojtarëve të tij u hiqet nga një karton i verdhë dhe si pasojë tre futbollistët do të jenë në dispiozicion të teknikut Daja.

Motivimi i kryeqytetasve është dhe më i madh. Presidenti Ardian Bardhi ka premtuar një premio prej 500 mijë eurosh për lojtarët dhe stafin teknik në rast se Dinamo arrin të eliminojë Pafosin dhe të sigurojë kualifikimin në Ligën e Konferencës.

Dinamo dhe Egnatia nuk kanë më kohë për llogari. Të enjten janë vetëm 90 minuta larg historisë dhe një hap larg fazës së ligës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos