Miliona për dy klubet shqiptare, Egnatia dhe Dinamo ''mbushin'' arkat në Europë

Nga Dea Kozma
26 Gusht 2026, 11:08 | Futboll

Egnatia dhe Dinamo mund të shkruajnë historinë me paraqitjet e tyre në Kupat e Europës. Dy klubet shqiptare, përveçse kanë bërë një reklamë të mirë në sytë e gjithë Europës, kanë mbushur edhe arkat me miliona euro.

Arena europiane nuk ka sjellw vetëm emocione dhe histori, por edhe të ardhura të mëdha financiare. Më shumë ka arkëtuar kampionia e Shqipërisë, shkruan A2. Egnatia, pas kalimit historik të tureve dhe përmbysjes 5-1 ndaj Shamrock Rovers, ka garantuar deri më tani 3,17 milionë euro.

Ndeshja ndaj norvegjezëve të Lillestrom është shumë e rëndësishme, pasi fitorja aty vlen 1,14 milionë euro të tjera. Nëse ekipi i Nevil Dedes arrin të kualifikohet më tej dhe rrogozhinasit futen në fazën e grupeve të Europa League, të ardhurat mund të shkojnë deri në 4,31 milionë euro.

Edhe Dinamo ka shpërblyer mundin dhe sakrificën me miliona. Deri në këtë pikë kryeqytetasit kanë siguruar 1 milion e 450 mijë euro nga UEFA, falë kalimit të tureve në Conference League. Por, shifra mund të rritet ndjeshëm. Fitorja ndaj qipriotëve të Pafos vlen 1,72 milionë euro dhe nëse “Blutë” kualifikohen në transfertë dhe sigurojnë fazën e ligës, të ardhurat do të shkojnë në rreth 3,17 milionë euro.

Shifra këto që klubet shqiptare nuk janë mësuar t’i shohin shpesh. Tashmë, ato luajnë për historinë, por edhe për miliona euro që mund të ndryshojnë ndjeshëm sezonin e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos