Hartë e re, llogari elektorale. PS hap garën për Kavajën dhe forcon bashkitë e majta

Nga Fjorela Beleshi
6 Gusht 2026, 18:03 | Politikë

Projekti socialist është vetëm një ndarje territoriale apo të majtët kanë bërë edhe llogaritë elektorale? Të majtët duan ta evitojnë këtë pistë të analizimit të skenarit, sipas të cilit në 15 bashki nuk do të votohet për kryetar në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2027. Por çfarë tregojnë rezultatet e tre viteve më parë në këto zona?

Me bashkimin e Pukës me Fushë-Arrëzin, të majtët nuk arrijnë të kenë shumicën, duke iu referuar rezultateve të vitit 2023, por i cenojnë demokratët, duke i lënë vetëm një bashki potenciale nga dy të tilla që kishin.

Ndërsa në këtë zonë të veriut shifrat flasin në favor të bluve, në jug PS-ja i "rrëmben" Memaliajn, duke e përfshirë në bashkinë e Tepelenës.

Në vitin 2023, PS-ja arriti t'i rrëmbente fitoren PD-së në Rrogozhinë me votat e burgut. Një fitore që nuk e gëzuan shumë, pasi kryebashkiaku i majtë i zgjedhur u dënua për korrupsion aktiv në zgjedhje. Edhe pse që prej shkurtit bashkia është pa kryetar, qeveria nuk e çoi vendin në zgjedhje, pasi kishte plane të tjera: ta shkrinte me Kavajën.

Nga llogaritja e shifrave, edhe ky bashkim sërish shkon në favor të demokratëve, por ngushton diferencën, duke e lënë garën një betejë të hapur.

Mazhoranca i forcon pozitat e saj duke bashkuar disa njësi vendore me bashki më të mëdha të drejtuara nga e majta, siç është rasti i Belshit, që bashkohet me Elbasanin. E njëjta situatë paraqitet edhe me Dimalin, Këlcyrën dhe Libohovën.

Në disa bashki të tjera më të mëdha, si Vlorë, Fier, Elbasan, Lushnjë, Mat, Korçë, Librazhd dhe Gjirokastër, mazhoranca duket se forcon të ashtuquajturat bastione.

Edhe në Tiranë, përveç faktit që bashkia përfshin edhe Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", socialistët duken të favorizuar edhe në aspektin elektoral, duke marrë votat e majta të fshatit Rinas, që më parë i përkiste Krujës, si edhe votat e Bërxullës dhe Domjes, të cilat i aneksohen Vorës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos