Futbollisti humbet gishtat pasi i plas në dorë fishekzjarri

Nga A2 CNN
22 Tetor 2024, 09:07 | Futboll

Futbollisti humbet gishtat pasi i plas në dorë fishekzjarri

Një futbollist i kategorive të ulta në Belgjikë ka humbur një gisht dhe i janë prerë pjesërisht dy të tjerë pasi i ka plasur në dorë një fishekzjarr i hedhur në fushë nga një tifoz dhe të cilën lojtari po mundohej ta largonte nga fusha.

Fabio Schiafino, i cili luan me KSCT Menen në kategorinë e katërt belge, kishte shënuar dy gola gjatë ndeshjes dhe po e festonte më së miri ditëlindjen e tij deri në momentin kur ndodhi incidenti i pakëndshëm, shkruan A2 CNN.


“Më plasi në dorë dhe kur u largua tymi, pashë që një pjesë e gishtave të mi ishte zhdukur”, rrëfen Schiafino për “HLN”.

Presidenti i ekipit vendas, SK Zillebeke, sqaroi pas ndeshjes: “Fillimisht, të gjithë menduan se ishte një bombë tymuese, por më pas doli se ishte në të vërtetë një Cobra 6. Është një armë e rëndë piroteknike me fuqinë e një granate dore dhe është e ndaluar në vendin tonë”.

Policia arrestoi tifozin që hodhi fishekzjarrin, një 21-vjeçar nga Ëevelgem, për t'u marrë në pyetje dhe më pas e la të lirë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos