Italia mbyll me fitore “epokën” e Spalletti-t

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 23:13 | Futboll

Italia mbyll me fitore “epokën” e Spalletti-t

Luciano Spalletti e ka mbyllur aventurën e tij në krye të Italisë me një fitore 2-0 ndaj Moldavisë, duke i dhënë fund një serie prej katër ndeshjesh pa fitore (1 barazim, 3 humbje), ndërsa Azzurrët synojnë të sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin e parë që nga viti 2014.

Pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Norvegjisë në ndeshjen hapëse të kualifikueseve, Italia nuk kishte luksin të gabonte. Një gol i anuluar për Moldavinë në minutat e para shmangu një tronditje për vendasit. Presioni italian u intensifikua, me debutuesin Luca Ranieri që goditi traversën, por vetëm në minutën e 40-të Giacomo Raspadori zhbllokoi shifrat me një goditje të bukur.

Moldavia, që nuk kishte fituar asnjë nga 22 ndeshjet e fundit kualifikuese që nga tetori 2013, tentoi të reagojë. Gianluigi Donnarumma u tregua vendimtar, duke ndalur një goditje të rrezikshme nga Oleg Reabciuk, ndërsa Federico Dimarco shpëtoi një gol të sigurt, shkruan A2 CNN.

Në pjesën e dytë, Italia dyfishoi rezultatin me Andrea Cambiaso, që shfrytëzoi një top në zonë. Edhe pse Davide Frattesi pati dy raste të mira, rezultati mbeti 2-0.

Moldavia mbetet në fund të Grupit I, me tri humbje, ndërsa Italia mban shpresat gjallë. Claudio Ranieri, i përfolur për të marrë drejtimin e Italisë, do të duhet të shpresojë në hapa fals të Norvegjisë për të siguruar kualifikimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos