Java e 34 e Kategorisë Superiore mund të vendosë shumë për verdiktet finale. Nga lufta për një vend në “Final 4” te mbijetesa.
Pas fitores 3-0 në derbi, Tirana ende nuk e ka fituar luftën finale. Bardheblutë përballen këtë javë me Skënderbeun, një kundërshtar direkt dhe për këtë kryeqytetasit do të zbresin në fushë vetëm për tre pikë, shkruan A2.
Një finale mbijetese është dhe ajo mes Teutës dhe Laçit në stadiumin “Niko Dovana”. Lidhur me rëndësinë që ka kjo ndeshje, durrsakët kanë hapur dyert e stadiumit falas për tifozët në çdo tribunë.
Ndeshje e bukur do jetë dhe ajo mes Egnatias dhe Partizanit. Nëse Egnatia e ka siguruar një vend mes 4 ekipeve më të mira, Partizani akoma jo. Ndërsa Elbasani që luan me Bylisin, nëse fiton, shpreson te një disfatë të ekipit të kuq për t’u ngjitur në vendin e katërt.
Ndeshje e fortë në letër është dhe ajo mes Vllaznisë dhe Dinamos në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë në 5 ndeshjet e fundit kanë regjistruar vetëm 3 pikë duke zhgënjyer jo vetëm me lojë, por edhe me rezultate.
“Duhet të mësojmë shpejt nga gabimet që mund të kemi bërë më përpara, nuk duam të humbim më shumë kohë apo gjejmë justifikim. Është ndeshje e rëndësishme dhe për gjithsecilin e qartë, duhet rezultat sa më i mirë dhe të sigurojmë matematikisht edhe Final Four. Kemi luajtur kundër Dinamos më përpara, i dimë cilësitë, por fokusi është vetëm te puna jonë, luajmë në shtëpinë tonë, kemi tifozët në anën tonë”, tha Brdaric.
Të gjitha ndeshjet e javës së 34 do të luhen këtë të shtunë, duke nisur prej orës 15:30. (A2 Televizion)