Organizimi i kampionatit europian u-21 ka sjellë shumë kontestime nga tifozët pas lajmeve se organizohet në bashkëpunim mes federatës shqiptare dhe asaj serbe. Megjithatë përtej kësaj, përgatitjet për këtë turne duket se po shkojnë drejt fundit. Fusha është gati.
Punimet në stadiumin Arena Kombëtare po hyjnë në fazën e fundit, ndërsa fusha e re pritet të jetë gati për ndeshjet zyrtare të kombëtares në Ligën e Kombeve gjatë muajit shtator.
FSHF thotë se ka përfunduar rindërtimin e plotë të bazamentit të fushës dhe shtrimin e tapetit të ri hibrid. Ndërkohë është mbjellë edhe bari natyral, ndërsa specialistët po ndjekin procesin e mirëmbajtjes, në mënyrë që fusha të arrijë standardet optimale për zhvillimin e ndeshjeve.
Ky investim është pjesë e përgatitjeve të Shqipërisë për Kampionatin Europian U-21 të vitit 2027, që do të organizohet bashkë me Serbinë. UEFA e konfirmoi këtë vendim në shkurt të vitit 2025, ndërsa turneu final me 16 skuadra do të zhvillohet në tetë stadiume, katër në Shqipëri dhe katër në Serbi. Finalja është planifikuar të luhet në Tiranë, ndërsa të dy vendet organizatore e kanë të siguruar pjesëmarrjen në fazën finale.
Tifozat Kuq e Zi, kanë kundërshtuar ashpër bashkëorganizimin e Kampionatit Europian U21 2027 mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke e quajtur atë një vendim të papranueshëm dhe fyes. (A2 Televizion)