Përgatitje për sezonin e ri, Vllaznia “leksion” Laçit, i shënon tre gola në miqësore

Nga Dea Kozma
30 Korrik 2026, 16:05 | Futboll

Vllaznia duket se ka lënë pas eliminimin nga Kupat e Europës, dhe po vijon përgatitjet intensive për sezonin e ri. Kuqeblutë mposhtën me rezultatin e thellë 3-0 Lacin në stadiumin “Loro Borici”. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura ndërsa në të dytën nisi goleada. Amin Tahiri, ish-sulmuesi i Tiranës, dërgoi topin në rrjetë dy herë ndërsa  Edon Murataj vulosi fitoren me shifrat 3-0. Pas miqësores, ndihmës trajneri i Vllaznisë Ergi Borshi dhe tekniku Qatip Osmani treguan pritshmëritë për sezonin e ri.

“I kënaqur për performancën e disa lojtarëve. Pavarësisht se ka qenë javë shumë e ngarkuar për djemtë. Besoj edhe kjo javë edhe java tjetër do vazhdojë me këto ngarkesa. E rëndësishme është performanca e disa lojtarëve. Pamë disa lojtarë që i janë bashkuar ekipit pak me vonesë, dhe disa lojtarë që nuk kemi mundur t’i shohim në miqësoret e mëparshme, për të atë problemin e Europës që dihet. Them se morëm sinjale pozitive prej shumë lojtarëve, pavarësisht rezultatit që nuk besoj se ka rëndësi të madhe në fund të fundit”, tha Ergi Borshi, zv.trajner i Vllaznisë.

“Për sa i përket lojës, për pjesën e parë jemi të kënaqur. Ende shikohet që kemi disa probleme që me kalimin e kohës duhet t’i përmirësojmë. Në pjesën e parë krijuam disa raste, luanim mirë. Kërkonim lojën 1 kundër 1. Në pjesën e dytë ndikuan edhe lojtarët e lënduar, nuk kishim ndërrime adekuate për momentin për ta freskuar ekipin. Kalova një kohë të mirë në Shkodër, që do e mbaj mend për mirë sigurisht. Më vjen mirë që jam në Shkodër. Do të mundohemi të bëjmë një ekip konkurrues. Ekip që të jetë në 6 vendet e para që luhet Play Off”, tha Qatip Osmani, trajner i Laçit.

Kategoria Superiore do të ngrejë siparin e saj në 22 gusht. Në javën e parë Vllaznia luan me Skënderbeu ndërsa Laçi me Elbasanin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos