Dinamo do të zbresë sot në fushë përballë sllovenëve të Aluminj me synimin e vetëm për të shkruar historinë. Llogaritë janë të hapura në duelin e vlefshëm për turin e dytë të Conference League. Pas barazimit 1-1 në transfertë, ekipi i Ilir Dajës është i motivuar për të dhënë maksimumin dhe pse jo për të marrë një rezultat pozitiv. trajneri deklarohet shpresë plotë edhe për shkak që përballja luhet në Elbasan ku ka dhe një besëtytni.
“Gjithçka mbetet e hapur edhe për 90 minuta të tjera këtu në Elbasan. Avantazhi i vetëm që kemi është se ne njohim ambientin. Është një stadium që kemi luajtur shpesh herë dhe personalisht në këtë stadium kam edhe pjesën e fatit. Të fitoreve shpesh herë, që në kohën kur kam qenë trajner i Elbasanit. Shtesat dhe penalltitë? Ne pretendojmë që ndeshja të mbyllet në 90 minuta, por sigurisht që kjo ndeshje me rezultatin e parë që ka shkuar drejt barazimit, mund të përgatitemi gjatë lojës për vazhdimësinë dhe shtesat”, tha ai.
Në krahë të trajnerit Daja, mesfushori Klevi Qefalija thotë se kanë studiuar pikat e forta e të dobëta të kundërshtarit. “Sigurisht, kundërshtarin e kemi analizuar. E njohim më mirë tani. E kemi parë me video çfarë kemi bërë në ndeshjen e parë. Çfarë duhet të përmirësojmë dhe çfarë kemi bërë mirë. Do jetë ndeshje e vështirë mund të them, pasi nuk janë kundërshtar i lehtë. Por do bëjmë maksimumin për të fituar ndeshjen. Mendoj se psikologjikisht jemi shumë mirë pasi eliminuam kundërshtar shumë të vështirë si Astana”, tha lojtari.
Takimi Dinamo-Aluminj i vlefshëm për turin e dytë të Conference League do të luhet sot në mbrëmje në orën 21:00 në “Elbasan Arena”. (A2 Televizion)