Organizatorët e ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës midis Letonisë dhe Serbisë, që u zhvillua këtë të shtunë në Riga nuk lejuan futjen e asnjë simboli të Serbisë nga tifozët miq në stadium.
Ata kërkuan nga tifozët të heqin çdo simbol të mundshëm të Serbisë, bluzë, shall, kapelë, apo flamujt që kishin marrë për të ekspozuar në tribuna. Shpjegimi për të këtë vendim nga organizatorët ishte se nuk do të kishte një hapësirë të organizuar e të ndarë për tifozët mysafirë në ndeshjen në kryeqytetin e Letonisë.
Disa nga tifozët sipas mediave në Beograd hoqën edhe bluzat në mënyrë që të lejoheshin të hynin për të ndjekur ndeshjen.
Por, edhe pse rojet e sigurisë ndaluan çdo simbol të Serbisë, tifozët miq menduan për të shkaktuar tension në tribuna. Pas golit të Dushan Vlahoviç në minutën e 12’ të sfidës, tifozët serbë shpërthyen në ovacione dhe nuk lanë pa kënduar vargjet: “Kosova është Serbi”.
Ajo çka i befasoi ishte kundërpërgjigja e tifozëve të Letonisë, të cilët shpërthyen në fishkëllima dhe brohoritma kundër veprimit të serbëve.
Serbia ndodhet në grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 me Anglinë, Shqipërinë, Letoninë dhe Andorrën.
Vendin e parë në tabelë e mban Anglia me nëntë pikë, ndërsa Shqipëria ka pesë. (A2 Televizion)