
Emërimi i Ardijan Nuhiut në bankinën e Tiranës pritej të sillte ndryshimet e para pozitive për bardheblutë, por realiteti në fushë tregoi krejt të kundërtën. Kryeqytetasit pësuan një tjetër humbje të rëndë, këtë herë në shtëpi, ku u mundën 2-0 nga Bylisi, në një ndeshje ku mungesa e lojës dhe ideve ishte e dukshme.
Sfida nisi menjëherë keq për Tiranën, pasi një gabim i pafalshëm i Dembele i dha Bylisit avantazhin që në minutat e para. Goli i hershëm i qetësoi ballshiotët, të cilët morën kontrollin e lojës dhe shpërdoruan dy-tre raste të pastra për të dyfishuar rezultatin.
Megjithatë, kur nuk arritën vetë ta çonin topin në rrjetë, i erdhi në ndihmë mbrojtja e Tiranës: një autogol i pakuptimtë dhe qesharak i Vera vulosi rezultatin 2-0, duke i dhënë tre pikë të arta Bylisit në garën për mbijetesë.
Ndërkohë, Tirana mbetet e paralizuar mes krizës së rezultateve dhe presionit në rritje. Me këtë humbje, bardheblutë rrezikojnë më shumë se kurrë rënien nga kategoria, një skenar që vetëm pak kohë më parë dukej i paimagjinueshëm për klubin më të titulluar në vend.
Nuhiu do të duhet të gjejë urgjentisht zgjidhje, sepse koha po mbaron dhe e ardhmja e Tiranës në Superligë është vënë seriozisht në pikëpyetje. (A2 Televizion)
