Një “Klasike” me aromë titulli. Vllaznia dhe Tirana, dy skuadrat që tradicionalisht e nisin sezonin si pretendente për titullin kampion, ndeshen në javën e dytë të kampionatit.
Shkodranët kërkojnë vazhdimësinë pas fitores me Partizanin në debutim. Në anën tjetër, Tirana kërkon fitoren e parë në këtë sezon.
Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë, u shpreh: “Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. Natyrisht që duam ta fitojmë dhe jemi të përgatitur. Atmosfera në skuadër pas fitores së parë është shumë e mirë, por nuk mund të shfaqemi të çlodhur. Duhet të vazhdojmë dhe të marrim pikë. Duhet sakrificë dhe duhet një ndeshje e mirë për të fituar pikë ndaj Tiranës. Na duhet një plan i mirë për të arritur rezultat, të punojmë të gjithë së bashku për këtë ndeshje të rëndësishme”.
Ndeshja në “Loro Boriçi” do të luhet këtë të diel, duke nisur prej orës 20:00. Klubi i Vllaznisë nxori në shitje biletat, me çmimet që variojnë nga 200 deri në 1500 lekë të reja. (A2 Televizion)