“Klubet të paguajnë influencerë për të sjellë tifozë”, Gjergji Stefa: Mungon promovimi i kampionatit

Nga A2 CNN
6 Shtator 2026, 22:42 | Futboll


Futbolli shqiptar ka nevojë për më shumë promovim dhe për një mënyrë të re për të afruar tifozët në stadiume. Kështu u shpreh gazetari sportiv Gjergji Stefa, i ftuar në emisionin “Megasport” me Altin Sulçen në A2 CNN.

Stefa tha se klubet shqiptare nuk po bëjnë sa duhet për të tërhequr vëmendjen e publikut, sidomos të të rinjve, përmes rrjeteve sociale dhe personazheve publikë.

Sipas tij, klubet duhet të investojnë edhe te influencerët, gazetarët dhe artistët, të cilët mund të ndihmojnë në promovimin e ndeshjeve dhe kampionatit.

“Në çdo ligë të botës ka një fond i cili quhet fondi influencer, ku njerëz të caktuar bëjnë influencë për kampionatin. Këta mund të jenë gazetarë, artistë e të tjerë”, tha Stefa.

Ai solli edhe një shembull nga përvoja e tij në rrjetet sociale, duke thënë se një video e publikuar prej tij nga një turne ndërkombëtar mori më shumë se 50 mijë shikime.

“Asnjë influencer nuk merret me kampionatin shqiptar, sepse drejtuesit e klubeve...” tha Stefa, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si klubet po e promovojnë futbollin.

Gazetari theksoi gjithashtu se drejtuesit e klubeve duhet të kenë më shumë komunikim me mediat dhe personazhet që mund të ndihmojnë në promovimin e ndeshjeve.

Unë jam i bindur që asnjë drejtues klubi nuk të ka marrë asnjëherë në telefon për të diskutuar mbi mundësinë e promovimit”, u shpreh ai.

Një tjetër problem, sipas Stefës, është mungesa e punës me të rinjtë dhe përdorimi i dobët i rrjeteve sociale.

“E treta është dixhitalizimi dhe marketingu me të rinjtë. Nuk bëhet asnjë lloj pune për ta dixhitalizuar kampionatin”, tha gazetari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos