Kombëtarja U-21 fiton miqësoren ndaj Moldavisë, vendos eurogoli i Burak Alilit

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2025, 14:12 | Futboll

Kombëtarja U-21 fiton miqësoren ndaj Moldavisë, vendos eurogoli i

Kombëtarja U-21 fitoi miqësoren e parë të nëntorit ndaj Moldavisë me rezultatin 1-0. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në qendrën stërvitore të Kombëtares moldave, në Vadul lui Vodă, ndërsa goli i fitores u realizua nga Burak Alili.

Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Giulio Veliaj (GK), Diar Vokrri, Gabriel Ramaj, Elton Fikaj, Arlind Kurti, Fabjan Përndreca, Feta Fetai (C), Aidon Shehu, Burak Alili, Rrok Toma dhe Kevin Dodaj.

Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm dhe që në minutat e para ishte pranë golit me Dodajn, por tentativa e sulmuesit kuqezi u ndal nga shtylla.

Pak minuta më vonë, ishte sërish Dodaj që provoi me një goditje me kokë, por u ndal nga portieri.

Në minutën e 18-të, Shqipëria zhbllokoi rezultatin me Burak Alilin, i cili realizoi një eurogol nga goditja e dënimit.

Kuqezinjtë provuan sërish dhe pas një aksioni të mirë i shkuan shumë pranë golit të dytë me Rrok Tomën, i cili u gjend i vetëm përballë portierit, por tentativa e tij u ndal.

Fraksioni i dytë nisi me një rast të rrezikshëm për Moldavinë, megjithatë Shqipëria mori sërish në kontroll lojën dhe u hodh në sulm për të shënuar golin e sigurisë.

Gjatë pjesës së dytë trajneri Bushi aktivizoi edhe Selimajn, Dakën, Ramajn, Koten, Brrutin dhe Bashin.

Në fundin e takimit, kuqezinjtë patën një mundësi të artë shënimi me Selimajn, por goditja përfundoi jashtë.

Kuqezinjtë administruan mirë avantazhin deri në fund dhe ndeshja u mbyll me fitoren 1-0 për Shqipërinë U-21.

Kombëtarja U-21 do të luajë ndeshjen e dytë miqësore më 17 nëntor ndaj Ukrainës U-21 në “Elbasan Arena”, në orën 18:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos