Vetëm 180 minuta larg historisë. Egnatia vazhdon të ëndërrojë në arenën europiane, për grupet e Europa League. Pasi i siguruan në Conference League, rrogozhinasit kërkojnë më shumë.
Përballë norvegjezëve të Lilstrom, sigurisht detyra nuk do të jetë aspak e thjeshtë por në krah kanë fatin dhe momentin.
Ekipi i Nevil Dedes do të bëjë gjithçka për surprizën të ndihmuar dhe nga kriza e brendshme në ekipin kundërshtar. Presidenti i klubit, Lilstrom, Stian Thomassen ka dhënë dorëheqjen me efekt të menjëhershëm. Sipas njoftimit zyrtar gjithçka lidhet me mosmarrëveshje mbi zgjedhjet strategjike dhe prioritetet kryesore për të ardhmen e ekipit. Tomasen ka theksuar se në rrethanat aktuale, nuk e sheh më veten në gjendje të kontribuojë në mënyrë të mëtejshme në këtë rol...
Një panoramë ndryshe paraqitet në Rrogozhinë.
Burimet bëjnë të ditur se pas fitores ndaj Shamrock Rovers, presidenti Agim Demrozi ka dhënë një premio prej 200 mijë eurosh për skuadrën. Nëse arrijnë të bëjnë mrekullinë dhe në play Offin e Europa League, kjo shifër mund të jetë me e madhe, por fillimisht fokusi është vetëm në fushë.
Rrogozhinasit kanë vetëm një synim: te hedhin një hap të rëndësishëm më tej, që në ndeshjen e parë në që mbahet në stadiumin e tyre në orën 19:00. Një detyrë e vështirë por jo e pamundur! (A2 Televizion)