Dy ndeshjet e para në Grupin K kualifikues të Botërorit 2026 dhanë konfirmime të qarta. Anglia mbetet skuadra më e mirë dhe rivalët direkt të Shqipërisë do të jenë serbët.
Pikërisht ndaj tyre do të përqendrohet lufta për vendin e dytë, që përkthehet në kualifikim në fazën play-off drejt Botërorit 2026, shkruan A2. Momentalisht, anglezët kryesojnë me 6 pikë të plota, ndërsa kuqezinjtë janë në vendin e dytë me 3 pikë, po aq sa ka edhe Letonia, por me golavarazh më të mirë.
Serbia, e angazhuar në duelet me Austrinë në Nations League, ku siguroi qëndrimin në Ligën A, nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje kualifikuese. Dueli i 7 qershorit në Tiranë kundër Kombëtares kuqezi do të shënojë debutimin e tyre në turne.
Ajo përballje shihet pikërisht edhe si e para nga dy finalet në luftën për vendin në play-off e Botërorit. Shqipëria ka si rival direkt serbët në këto kualifikuese dhe ajo ndeshje në Arenën Kombëtare do të përbëjë udhëkryqin e parë të edicionit.
Më pas, sipas kalendarit, pas dy sfidave me Letoninë, djemtë e Sylvinhos do të luajnë në trasfertë me Serbinë më 11 tetor. Këto janë duelet që do të vendosin fatin e kualifikueseve për Kombëtaren. Ëndrra për të siguruar pjesëmarrjen e parë historike në Kupën e Botës, kalon pikërisht nga ato përballje me rivalët historikë, që këtë herë janë edhe kundërshtarë direkt.
Ndeshja e fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor, më tepër sesa shpresë për të marrë pikë, do të jetë mënyra për mbyllje prestigjoze të eliminatoreve. (A2 Televizion)
Kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria luftë me Serbinë për play-off
