Dy ndeshje të rëndësishme për kombëtaren shqiptare në Nations League, me objektivin për të arritur vendin e parë në grup.
Përballë Çekisë në 16 nëntor dhe tre ditë më vonë ndaj Ukrainës, kuqezinjtë do të provojnë të marrin maksimumin në Arenën kombëtare. Për këtë, legjenda e futbolli shqiptar, Vasil Ruci që mes të tjerash tregoi pritshmëritë e tij nga këto dy përballje, shkruan A2. “Është një nga ndeshjet më të rëndësishme që ka luajtur ndonjëherë kombëtarja shqiptare sepse është vendimtare për të shkuar në Botëror. Gjëja më e mirë është socializimi i tifozëve me lojtarët, për të dhënë një mbështetje të madhe”, tha Ruci.
Mungesa e Gjimshitit, Kumbullës, Manajt dhe Bares sigurisht bënë me dhimbje kokë trajnerin Sylvinho, por sipas Vasil Rucit nëse të gjithë punojnë për grupin dhe me qëllim fitoren, çdo gjë mund të arrihet. Vasil Ruci tregoi se skuadra aktuale që Shqipëria ka është me e mira e të gjitha kohërave. “Gjimshiti është një nga figurat më të mëdha të Kombëtares, megjithatë edhe lojtarët që e kanë zëvendësuar kanë treguar nivel të lartë”, tha Ruci për A2.
Në fund, legjenda vlonjate dha edhe një këshillë për lojtarët në prag të ndeshjes me Çekinë, ndërsa kur u pyet se cili prej lojtarëve sot i ngjason në fushën e blertë, Ruci u përgjigj. “Më harroni mua si futbollist me një lule manushaqe në fushë. Ajo lulja manushaqe ka një veti të jashtëzakonshme që e shpërndan në të gjithë kopshtin. Kjo kombëtare sado të jetë mirë, ai njëshi duhet ta shpërndajë këtë aromën në të gjithë kopshtin e Kombëtares. Ata marrin frymë më mirë, janë më të bashkuar në këtë mënyrë. Në asnjë sekondë nuk duhet të shpërqendrohen sepse një fragment do ta zgjidhë këtë ndeshje. Besoj se ky fragment do të jetë në favorin tonë”, u shpreh Vasil Ruci.
Sipas Vasil Rucit, kombëtarja shqiptare i ka të gjithë mundësitë për të bërë mirë në Ligën e Kombeve dhe me pak fat mund të marrë maksimumin në dy takimet e nëntorit. (A2 Televizion)