
Në prag të ndeshjes Kosovë-Turqi e cila pritet të zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:45, ambasada amerikane në Prishtinë ka shprehur mbështetjen ndaj ekipit kosovar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson se të gjithë punonjësit e saj mbështesin Kosovën në këtë sfidë.
“Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ju mbështesim - luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare!”, shkruan ambasada amerikane në Kosovë, krahas fotove me fanellën e ekipit të Kosovës.
Kosova është gati të shkruajë historinë në stadiumin Fadil Vokrri këtë mbrëmje. Dardanët përballen me Turqinë në finalen e Play Off-it dhe në rast të një suksesi aty, bëjnë për vete biletën historike për në Kupën e Botës. Përveç aspektit sportiv dhe historik, në lojë janë edhe përfitime të mëdha financiare. (A2 Televizion)