Lufta “përmbys” Kupën e Botës? Irani mund të tërhiqet, ja kush e zëvendëson

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 16:15 | Futboll

Lufta “përmbys” Kupën e Botës? Irani mund të

Sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit kanë hedhur dyshime mbi pjesëmarrjen e kombëtares iraniane të futbollit në Kupën e ardhshme të Botës FIFA. Irani është kundërpërgjigjur ndaj sulmeve, të cilat nisën të shtunën, duke goditur me raketa dhe dronë baza ushtarake izraelite dhe amerikane në Lindjen e Mesme. Deri të hënën në mëngjes, të paktën 555 persona ishin vrarë në Iran dhe 10 në Izrael. Tre ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në luftime, ndërsa 38 persona janë vrarë në vende të tjera të rajonit.

Kupa e Botës do të bashkë-organizohet nga Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja, ku Irani është planifikuar të zhvillojë të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve. Megjithatë, nëse konflikti vazhdon, logjistika e turneut dhe roli i Iranit në të janë vënë në pikëpyetje.

Kupa e Botës do të nisë më 11 qershor në Meksikë, ndërsa Kanadaja dhe SHBA-ja do të presin ndeshjet e para një ditë më pas. Finalja do të luhet më 19 korrik në East Rutherford, New Jersey, pranë Nju Jorkut. Irani bën pjesë në Grupin G së bashku me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re dhe është planifikuar të zhvillojë të gjitha ndeshjet në Bregun Perëndimor të SHBA-së.

Irani nuk është tërhequr zyrtarisht nga turneu, por një zyrtar i lartë i futbollit iranian ka pranuar se pjesëmarrja e ekipit është vënë në dyshim. “Është e sigurt që pas këtij sulmi, nuk mund të pretendohet që ta presim Kupën e Botës me shpresë”, deklaroi Mehdi Taj, president i Federatës së Futbollit të Republikës Islamike të Iranit (FFIRI), për portalin sportiv Varzesh3. “Është e vështirë të thuhet saktësisht, por me siguri do të ketë një reagim,” shtoi ai, duke theksuar se çështja do të shqyrtohet nga autoritetet më të larta sportive të vendit, të cilat do të marrin një vendim përfundimtar.

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, ka deklaruar se organi drejtues i futbollit botëror po monitoron situatën. “Lexova lajmet këtë mëngjes njësoj si ju”, tha ai gjatë mbledhjes vjetore të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit në Uells. Ai theksoi se është herët për komente të detajuara, por FIFA do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet dhe të komunikojë me qeveritë e vendeve pritëse.

Nuk ka precedent për tërheqjen e një kombëtareje nga Kupa e Botës, turneu më i madh sportiv në botë. Megjithatë, ekipe të sanksionuara janë përjashtuar më parë, me Rusinë si rastin më të fundit. Nëse Irani tërhiqet, ka gjasa që të zëvendësohet nga një kombëtare tjetër për të garantuar mbarëvajtjen e turneut. Duke qenë se Irani u kualifikua nga zona aziatike, zëvendësuesi ka të ngjarë të vijë nga Konfederata Aziatike e Futbollit. Sipas renditjes në fund të kualifikueseve, Emiratet e Bashkuara Arabe mund të jenë kandidati më i mundshëm.

Irani aktualisht renditet i 20-ti në botë dhe i dyti në Azi. Ai ka marrë pjesë shtatë herë në Kupën e Botës, përfshirë tre edicionet e fundit radhazi, por nuk ka arritur asnjëherë të kalojë fazën e grupeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos