
Orges Shehi e ka nisur me humbje debutimin me KF Tirana në klasiken e futbollit shqiptar. KF Vllaznia Shkodër fitoi me përmbysje 3-1 në Stadiumi Loro Boriçi, në një ndeshje të bukur dhe me shumë emocione.
I pari që zhbllokoi shifrat ishte Redon Xhixha. Megjithatë, festa bardheblu nuk zgjati shumë. Vetëm 4 minuta më vonë, Bismark riktheu sërish baraspeshën. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, shkruan A2 CNN.
Në të dytën, kuqeblutë shtuan presionin. Një autogol i Kortez dhe goli i Bekim Balaj bënë që festa të shpërthente në Shkodër, duke çuar shifrat në 3-1.
Pas këtij suksesi, Vllaznia mbetet në vendin e parë me 51 pikë, ndërsa Tirana në vendin e parafundit me 21 pikë. (A2 Televizion)