Revoltë dhe polemika përpara ndeshjes së Interit me Romën në Serinë A. Për rikthimin e tradhëtarit Romelu Lukaku në “San Siro”, tifozët ishin angazhuar që ta kontestonin gjatë gjithë lojës. Në stadium u planifikua të ishin 30 mijë bilbilë, të cilët do e vërshëllenin sulmuesin sapo të shkelte në fushë dhe në çdo prekje të topit.
Megjithatë, skenari ka ndryshuar. Në stadium nuk do të lejohet futja e asnjë bilbili. Një vendim i marrë nga autoritetet e sigurisë publike në Milano. Nëse do të shprehin pakënaqësinë kundër belgut, që nisi edhe negociatat me Juventusin përpara se të transferohej te Roma, mbështetësit zikaltër duhet të gjejnë një mënyrë tjetër.
Tifozët ultras të Interit nuk e fshehën zemërimin për vendimin e marrë nga forcat e rendit. “Ky është abuzimi i radhës. Ligji nuk është njësoj për të gjithë”, shkruanin ata, duke kujtuar fushatën e fundit të ndodhur në Firence kundër Vlahovic, ku bilbilët u lejuan në tribuna.
Vendimi u mor pas ankesës së paraqitur nga Roma në polici. Më parë, trajneri Mourinho ishte shprehur kundër pakënaqësive dhe protestës së planifikuar nga tifozët për Lukakun. Sipas tij, te Interi nuk duhet të harrojnë që vetëm pak sezone më parë, ata i rrëmbyen rivalëve të Milanit mesfushorin turk Calhanoglu, i cili është kthyer në një prej shtyllave të ekipit zikaltër. (A2 Televizion)