Tifozët kundër sulmuesit, Inter, 30 mijë bilbilë kundër Lukakut në “San Siro”

Nga A2 CNN
27 Tetor 2023, 17:03 | Futboll

Tifozët kundër sulmuesit, Inter, 30 mijë bilbilë kundër

Supersfida e së dielës ndërmjet Interit dhe Romës, shënon edhe rikthimin e Romelu Lukakut në “San Siro”, pas “tradhtisë” së verës. Tifozët nuk e falën asnjëherë faktin që teksa negocionte rikthimin te zikaltërit, sulmuesi belg nisi bisedimet për një transferim të mundshëm edhe te rivalët e përjetshëm të Juventusit.

Për këtë arsye, tifozët e Interit janë mobilizuar që të dielën ta kontestojnë 30-vjeçarin prej momentit kur do të zbresë në fushë dhe sa herë që të kapë topin. Në tribuna do të jenë 30 mijë bilbilë, të cilët do të dëgjohen kundër Lukakut.

“San Siro” do të reagojë kështu kundrejt “tradhtisë”. Kontestimi nuk ka lidhje me Romën, apo me ngjyrat verdhekuqe. Kjo cilësohet një çështje personale me futbollistin.

Një lëvizje e tillë nuk është e re në Serie A italiane. Tifozët e Interit e kanë bërë në 2007-ën, kur Ronaldo “Fenomeni” luajti derbin e parë me fanellën e Milanit. Edhe një vit e gjysmë më parë në Firence, Vlahoviç u prit me bilbilë nga tifozët e Fiorentinës.

Më pak fjalë, çdo top i prekur nga Lukaku, çdo tentativë për të goditur portën dhe për të shënuar, do të shoqërohet nga zhurma shurdhuese e 30 mijë bilbilëve. Kjo mënyrë për të treguar pakënaqësinë nuk ndalohet nga rregullorja, edhe pse realisht mund të krijojë ngatërresa me vërshëllimën e arbitrit të ndeshjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos