Champions League rikthehet sot dhe bashkë me të rikthehen edhe netët e mëdha të futbollit europian. Sezoni i ri i kompeticionit nis më 8 shtator, me gjashtë ndeshje në program, ndërsa e gjithë vëmendja shkon në Santiago Bernabéu, aty ku Real Madrid pret Interin në një përballje që ka histori, emra të mëdhenj dhe mbi të gjitha… një takim shumë special për Jose Mourinhon.
Në orën 18:45 luhen AEK Athens–LASK Linz dhe Club Brugge–Aston Villa, ndërsa në orën 21:00 vijnë katër përballje: Borussia Dortmund–Villarreal, Porto–Manchester City, Lille–Real Betis dhe Real Madrid–Inter.
Por padyshim, kryefjala është Real Madrid–Inter. Dy skuadra gjigante të Europës, dy klube me nga një histori të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha një përballje që sjell në skenë një nga historitë më të bukura të futbollit modern: Jose Mourinho kundër ish-klubit të tij, Interit.
Mourinho e çoi Interin në majën e Europës në vitin 2010. Në atë sezon, zikaltërit fituan tripletën .Qershia mbi torte ishte trofeu i Champions Leagu , duke mposhtur Bayern Munchen në finalen e Madridit. Ironia e fatit është se 16 vite më vonë, pikërisht në Madrid, Mourinho do të përballet me Interin, këtë herë si trajner i Realit. Dhe nuk është vetëm Mourinho. Në stolin tjetër është Cristian Chivu, ish-mbrojtësi i Interit dhe një prej figurave të atij ekipi të famshëm të vitit 2010.

Mourinho me “dhimbje koke” nga dy mungesa
Bernabeu nuk do të jetë thjesht skena e një ndeshjeje Champions-i. Do të jetë një takim mes të shkuarës dhe të tashmes. Real Madrid e nis aventurën europiane pas një goditjeje të papritur në kampionat. Skuadra e Mourinhos humbi 1-0 ndaj Real Betis në ndeshjen e fundit të La Ligës, duke regjistruar humbjen e parë të sezonit.Dhe në Madrid, Champions League vjen menjëherë si mundësia perfekte për reagim.Mourinho e bëri të qartë në konferencën për shtyp se nuk e ndien veten në borxh ndaj Real Madridit për Champions League-n që nuk arriti ta fitojë gjatë periudhës së tij të parë në klub.
Ai theksoi se dy periudhat janë krejt të ndryshme dhe se ajo që ndodhi deri në vitin 2013 i përket së shkuarës. Por njëkohësisht pranoi se objektivi është i qartë: Real Madrid duhet të fitojë. Madje Mourinho përdori edhe një tjetër frazë tipike për të: nuk dëshiron që skuadra të luajë bukur dhe të humbasë, siç ndodhi ndaj Betisit.
Problemi më i madh për Realin mbetet mesfusha. Madrilenët kanë disa mungesa të rëndësishme. Tchouaméni dhe Thiago Pitark janë të dëmtuar, ndërsa Eduardo Camavinga, Bernardo Silva dhe Arda Guler janë të pezulluar. Rodrygo gjithashtu mungon për shkak dëmtimi.
Kjo e detyron Mourinhon të improvizojë. Një nga dilemat më të mëdha është edhe pozicioni i Trent Alexander-Arnold. Trajneri portugez nuk pranoi të zbulojë planin e tij për anglezin, duke thënë se ka disa alternativa, por nuk dëshiron t’ia bëjë publike Interit.
Zikaltrit udhëtojnë në Madrid pa yllin e ekipit
Nëse Reali vjen pas një humbjeje, Interi vjen në Madrid me moral krejt tjetër. Zikaltërit kanë fituar të tre ndeshjet e para të Serie A-së dhe në sfidën e fundit realizuan një përmbysje spektakolare ndaj Napolit. Interi ishte duke humbur 0-2, por reagoi dhe fitoi 3-2, me Lautaro Martínez protagonist absolut, duke shënuar dy gola, përfshirë edhe golin vendimtar në minutën e 91-të.Kjo është pikërisht ajo që Chivu kërkon nga skuadra e tij: karakter, reagim dhe besim deri në sekondën e fundit. Lautaro është gjithashtu në një moment shumë të mirë. Me 134 gola në Serie A, ai është ngjitur në vendin e tretë në historinë e Interit për golat në kampionat. Dhe në Champions League, sigurisht, ai do të jetë një nga njerëzit që duhet të mbajë sytë mbi vete.
Por Interi ka marrë një goditje të rëndësishme para ndeshjes. Federico Dimarco nuk do të jetë në dispozicion. Mbrojtësi i majtë pësoi një dëmtim të lehtë në gju gjatë ndeshjes me Napolin. Edhe pse kontrollet nuk treguan një problem serioz, Interi vendosi të mos rrezikojë dhe Dimarco nuk udhëtoi drejt Madridit.Ë shtë një mungesë e rëndësishme për Chivun, sepse Dimarco është një prej lojtarëve më të rrezikshëm të Interit në krah.
Historia favorizon Realin, por presioni i gjithi te madrilenët
Historia e kësaj përballje është në favor të spanjollëve. Real Madrid dhe Inter janë përballur 19 herë në historinë e kompeticioneve europiane. Madrilenët kanë avantazhin me 10 fitore, kundrejt 7 fitoreve të Interit, ndërsa dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Përballja e fundit mes tyre në Champions League ishte në sezonin 2021/22. Por historia më e veçantë është ajo e vitit 2010.Në atë sezon, Interi i Mourinhos eliminoi Barcelonën në gjysmëfinale dhe më pas fitoi Champions League-n në Madrid.
Në konferencën për shtyp në prag të sfidës, një gazetar italian i dhuroi Mourinhos një spërkatës uji, duke rikujtuar episodin e famshëm të vitit 2010 në Camp Nou, kur Interi festoi kualifikimin pas eliminimit të Barcelonës dhe sistemi i ujitjes u aktivizua në fushë. Mourinho e priti dhuratën me humor.
Interi hyn në këtë Champions League si kampion i Italisë, ndërsa Real Madrid si klubi më i suksesshëm në historinë e kompeticionit, me 15 trofe europianë. Madrilenët nuk e kanë fituar Champions League-n që prej vitit 2024. Interi, ndërkohë, ka tre Champions League në historinë e tij dhe synon të rikthehet edhe një herë në elitën absolute të Europës.
Pra, kemi një Real Madrid që kërkon të tregojë se humbja ndaj Betisit ishte vetëm një episod dhe një Inter që vjen me tre fitore në kampionat dhe me një përmbysje të madhe ndaj Napolit. Njëra skuadër ka Mbappé, Vinicius dhe presionin e Bernabéut. Tjetra ka Lautaron, karakterin e një kampioni të Italisë dhe një trajner që njeh shumë mirë këtë skenë. (A2 Televizion)
