Në mbylljen e vitit 2024 Arsenali nuk gabon dhe merr vendin e dytë në Premier League. Topçinjtë e shfrytëzuan maksimalisht disfatën e Chelsea, duke fituar minimalisht në “Emirates Stadium” përballë Ipswich.
Ndeshja u vendos nga goli i Havertz në minutën e 23-të, që me portën e boshatisur nuk e kishte të vështirë të dërgonte në rrjetë krosin e Trossard.
Pas atij episodi, londinezët nuk arritën të shënonin golin e sigurisë, edhe për meritë të portierit të përfaqësueses së Kosovës, Muriç.
Pavarësisht rasteve të shpërdoruara përballë ekipit të rikthyer në elitë, Arsenali nuk e vuri asnjëherë në dyshim suksesin.
Me një goditje të vetme, skuadra e Arteta-s parakaloi Chelsea dhe Nottingham Forrest, duke u rikthyer në vendin e dytë të Premier League. Topçinjtë e shohin veten 6 pikë larg kryesuesve të Liverpool, që gjithsesi kanë një ndeshje për të rikuperuar.
Vetëm barazim pa gola në sfidën tjetër ndërmjet Brighton dhe Brentford. (A2 Televizion)