Nis me spektakël Superiorja, Vllaznia mposht kampionët në Shkodër

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 22:22 | Futboll

Nis me spektakël Superiorja, Vllaznia mposht kampionët në

Edicioni i 87-të i Superiores shqiptare ka nisur me një përballje të zjarrtë në stadiumin "Loro Boriçi", ku Vllaznia triumfoi 2-0 ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe shkodranët, të mbështetur nga publiku vendas, u hodhën në fushë me qëllim fitoren dhe çeljen sa më të mirë të këtij edicioni.

Në minutën e 11-të, Gruda pati pretendime për një 11-metërsh, por arbitri Dorjan Maletaj nuk e konsideroi të tillë. Në minutën e 19-të, erdhi momenti i parë vendimtar, pasi Gurishta përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Dajsinani dhe shënoi për 1-0.


Vetëm pak minuta më vonë, në të 23-tën, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u ndëshkua me karton të kuq pas protestave ndaj arbitrimit. Në minutën e 34-t, Bekim Balaj humbi një penallti, duke lënë shifrat të pandryshuara.

Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Vllazninë, me një skuadër më dominuese në fushë, por që humbi disi ritmin për shkak të kartonit të kuq dhe penalltisë së humbur.

Pjesa e dytë nisi në mënyrën më të mirë për shkodranët. Bajrami dyfishoi rezultatin pas një goditjeje standarde, duke përfituar nga përgjumja e mbrojtjes së Egnatias.


Në minutën e 56-të, Egnatia mbeti me 10 lojtarë pasi Wotlai mori kartonin e dytë të verdhë, duke e përkeqësuar situatën për miqtë.

Deri në fund, Vllaznia administroi mirë avantazhin dhe mbylli sfidën me rezultatin final 2-0, duke dhënë sinjalet e para se këtë sezon është në kërkim të rikthimit në majat e futbollit shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos