Një duel titulli. Kryesuesit e Partizanit, përballen me Egnatian ndjekësen më të afërt. Të kuqtë kërkojnë që të nisin zbritjen e rrogozhinasve nga froni dhe të thellojnë distancën. Ndeshja në Arenën e Demave premton spektakël, edhe pse fjala kyç është kujdesi për të mos humbur.
“Përgatitemi me të njëjtin seriozitet për çdo ndeshje, ndryshimi i vetëm është koha e shkurtër e rikuperimit sepse do të kemi tre ndeshje në 8 ditë. Tani është radha të luajmë kundër kampionëve të Egnatias. I respektojmë maksimalisht ata, por si gjithmonë do të mendojmë për veten tonë. Nuk ka rëndësi ndeshja e mëparshme e fituar. Çdo ndeshje është e ndryshme dhe kështu presim të ndodhë edhe në këtë përballje të radhës. Duhet ti marrim ndeshjet me radhë dhe të mos mendojmë për ‘Final Four’ apo për më tej”, tha trajneri i “Demave”, Aleksandar Veselinoviç.
Te Egnatia kërkojnë hakmarrje për humbjen 2-0 të pësuar në fazën e kampionatit. Optimizmi vjen nga momenti i mirë që po kalon ekipi i Tetovës.
“Vijmë pas dy fitoreve si në Ballsh dhe me Elbasanin. Skuadra gëzon një formë të mirë dhe jemi gati për ndeshjen. Është një fushë e vështirë sepse terreni është sintetik. Këto fusha tashmë nuk janë tabu, sepse me këto terrene po stërvitemi. Do të jetë ndeshje e bukur, luan vendi i parë me të dytë. Sigurisht që janë dy pikë, do mundohemi për revansh. Do shikojmë që të kemi një ndeshje të kujdesshme. Final Four? Shumë shpejt, akoma nuk jemi në gjysmën e kampionatit. Mendoj ato skuadra drejt katërshes kanë marrë rrugë, megjithatë asgjë nuk është e vulosur”, tha tekniku i Egnatias, Edlir Tetova.
Tre ndeshjet e luajtura në Arenën e Demave ndërmjet Partizanit dhe Egnatias kanë përfunduar gjithmonë në barazim 1-1.
Skuadrat zbresin në fushë këtë të enjte në orën 17:00, për të synuar fitoren dhe për të përcaktuar se cila do të jetë në krye të kampionatit. (A2 Televizion)