Këtë të shtunë nis dhe java e trete e Superliges shqiptare. Partizani pas fitores një javë më parë me Skënderbeun, kërkon vazhdimësi dhe për këtë duhet të mund Teutën në Niko Dovana.
Durrsakët, një javë më parë, u mundën 3-0 nga Elbasani megjithatë në këtë takim duan të harrojnë sa më parë atë rezultat dhe qëllim kanë vetëm fitore. Në po të njëjtën orë, Vllaznia udhëton në Korçë përballë Skënderbeut. Kuqeblutë pas barazimit në derbi, duan të rikthehen sa më parë te 3 pikët ndonëse kundërshtari është vlerësuar maksimalisht, shkruan A2 CNN.
“E dimë që është një kundërshtar i vështirë sepse e kemi provuar edhe në final-four sezonin e kaluar. Është një skuadër me trajner serioz, por ne do jemi gati për të dhënë më të mirën. Asnjëherë nuk më pëlqen të lë pikë dhe do shkojmë në Korçë vetëm për të fituar”, tha Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.
“Unë dhe stafi im sapo kemi ardhur, disa lojtarë janë me probleme, Maguette është larguar. Kam theksuar se ne duhet ti marrim gjërat hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshje. Ne jemi Partizani dhe unë tashmë jam pjesë e Partizanit që është një klub i madh. Si një klub i tillë të gjithë presin nga ne të fitojmë çdo ndeshje. Nuk jemi Real Madriti, por ne duhet të kemi ambicie për të fituar çdo herë. Për momentin ne duhet të kemi respekt për kundërshtarin”, tha Aleksandar Veselinoviç, trajner i Partizanit. (A2 Televizion)