Pasi mori mes kontestimeve të forta të tifozëve në Velodrome, përsipër, aventurën për të “ringjallur” karrierën e Mason Greenwood, tekniku italian Roberto De Zerbi pritet të bëjë një tjetër surprizë të madhe me Marseille.
Me 5 golat e Greenwood që i rendisin tashmë të tretët në Ligue 1, 4 pikë pas Monaco, De Zerbi e ka fituar bastin e tij dhe të njëjtën mrekulli synon ta përsërisë, duke sjellë në Marsejë, mesfushorin Paul Pogba.
Pogba dhe Greenwood mund të jetë në linjë për një ribashkim shokues pasi luajtën më parë së bashku te Manchester United, raporton A2.
Është legjenda franceze, Patrice Evra që i ka dhënë jetë këtyre zërave duke u zotuar se do të bëjë një telefonatë për të ndihmuar në kalimin e Pogbas në Stade Velodrome.
“99% të shanseve janë se nuk do ta shohim më Paul me ngjyrat e Juves. Duhet të kthejmë faqen. Unë do të telefonoj Medhi Benatia që ai ta thërrasë se dyert janë të hapura”, tha Evra në podcastin “Rothen s'enflamme”.
Evra kaloi kohë me United, Juve dhe Marseille në karrierën e tij si futbollist dhe dëshiron më të mirën për mikun e tij Pogba. Mbetet për t'u parë se çfarë përgjigje do të marrë ai nga ish-mbrojtësi i Juves, i cili tani është drejtor sportiv te Marseille, shkruan A2.
Pogba ka një kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2026, por ka shumë spekulime që sugjerojnë se marrëveshja mes tyre do të ndërpritet, pas skualifikimit të mesfushorit francez për doping.
Nëse ky vendim merret, atëherë 31-vjeçari do të bëhet lojtar i lirë në tregun e transferimeve. Fituesi i Kupës së Botës me Francës vetëm pak ditë më parë mësoi se pezullimi i tij katërvjeçar nga futbolli u reduktua në 18 muaj pas një apeli në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Si rezultat, mesfushori francez do të lejohet të rifillojë karrierën e tij profesionale në mars të vitit të ardhshëm, ndaj zërat që e shohin te Marseille nuk mund të hidhen poshtë.
Sakaq, sipas Tuttosport, Pogba mund të shkojë edhe në MLS për t’u bashkuar me Lionel Messin, pasi ka blerë edhe një shtëpi në Miami. (A2 Televizion)