Pasi siguroi përmbysjen spektakolare, një festë e madhe shpërtheu në Letoni. Për trajnerin Edi Martini, ky nuk ishte një sukses i rastësishëm, por është fryt i një pune të palodhur që e gjithë skuadra ka bërë.
Edi Martini, trajner i Vllaznisë, deklaroi pas ndeshjes: “I përshëndes dhe i falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur. I them atyre që nxjerrin helm prej goje: mbajeni për vete sepse ju infekton ju, ne s'na bën asgjë. Ne ecim përpara, jemi familje, sa më tepër pozitivitet, edhe atyre që nuk flejnë rehat kur fitojmë ne”.
Me një paraqitje fantastike në Letoni, talenti i Vllaznisë, Kevin Dodaj, ka dhënë lamtumirën më të bukur të mundshme Vllaznisë, duke shënuar një gol dhe dhënë një asist në fitoren 4-2 ndaj Daugavpils. Në një prononcim ekskluziv për A2 pas ndeshjes, Dodaj shprehu emocionet për këtë moment të veçantë: “Jam shumë i lumtur për golin dhe asistin, por më i lumtur që Vllaznia kaloi më tej dhe shpresoj të vazhdojë kështu. Shënova, u kualifikuam dhe ky ishte qëllimi im në këtë ndeshje të fundit. I falënderoj të gjithë te Vllaznia për mbështetjen. Ndjehem shumë i lumtur. Shpresoj që Vllaznia ta fitojë titullin këtë vit që vjen, edhe pse pa mua. Unë do t’i ndjek në çdo ndeshje”.
Vllaznia nuk ka kohë për pushim pasi të enjten e ardhshme do duhet të pres gjigandët islandez Vikingur Rejkjavik, në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë të Conference League. (A2 Televizion)