Përmbysje spektakolare në Letoni, Vllaznia përmbys humbjen dhe siguron kualifikimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës
Vllaznia ka arritur një përmbysje spektakolare në Letoni, duke siguruar kalimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës pas një fitoreje 4-2 ndaj Daugavpils, që rikuperoi humbjen 0-1 të ndeshjes së parë në Elbasan.
Shkodranët hynë në fushë me vendosmëri dhe gjetën golin e parë me Mensah, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm. Por festa nuk zgjati shumë, pasi vendasit reaguan fuqishëm dhe përmbysën ndeshjen me dy gola të shpejtë. Kur dukej se gjithçka po komplikonte sërish për skuadrën kuqeblu, erdhi goli i rëndësishëm i Jagos në fundin e pjesës së parë, i cili e riktheu baraspeshën dhe shpresën për përmbysje.
Në pjesën e dytë, loja u bë më e kujdesshme, me Vllazninë që kishte vështirësi për të qenë e rrezikshme përpara portës. Por gjithçka ndryshoi në minutat e fundit, kur në skenë doli talenti Dodaj. Fillimisht, ai shënoi golin që i dha avantazhin skuadrës shqiptare në rezultat të përgjithshëm, për të qenë më pas protagonist edhe me një asist perfekt për Malën, i cili vulosi fitoren dhe përmbysjen 4-2.
Një sukses i madh për Vllazninë, që tregon forcën e karakterit dhe besimin deri në fund, duke siguruar një kualifikim të merituar në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të luajë me Vikingur Reykjavik. (A2 Televizion)