Vendimi i GJKKO për Ballukun i diskutueshëm? Analiza e gazetarit: Kur Gjykata duhet t'i kërkojë leje Kuvendit

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 20:39 | Politikë

Vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra ka sjellë reagime të forta. Në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli, gazetari Poli Hoxha analizoi çështjen duke theksuar se, pavarësisht zhurmës politike, vendimi gjyqësor është plotësisht i bazuar në ligj.

Hoxha u shpreh se opozita prej kohësh ka kërkuar dorëheqjen e Ballukut, por kurrë nuk ka kërkuar që gjykata të pezullonte një ministër. Sipas tij, situata është shfrytëzuar politikisht, ndërsa mazhoranca kërkon ta paraqesë vendimin si “puç kushtetues”, për të krijuar idenë se SPAK dhe GJKKO po synojnë qeverinë.

Gazetari theksoi se ministrat dhe zëvendëskryeministrat nuk kanë imunitet, ndaj GJKKO ka të drejtë t’i vendosë masa sigurie pa kërkuar leje nga Kuvendi. Leje parlamentare kërkohet vetëm për masa si arresti me burg, arresti në shtëpi dhe kontrolli i banesës për deputetët, jo për ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra, shkruan A2 CNN.

Sipas Hoxhës, gjykata ka vepruar brenda kufijve kushtetues dhe madje ka lënë hapësirë që hetimi të vijojë pa ndikim nga pozicioni i Ballukut, në një kohë kur ndaj saj po shtohen procedurat nën hetim.

Ai theksoi se: “Vendimet nuk i merr SPAK-u, por gjykata. SPAK vetëm propozon. Kundërshtimet brenda 48 orëve dhe ankimi në Apel janë rruga ligjore. Nuk ka asnjë shkelje.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos