Shpirt sakrifice dhe inteligjencë taktike. Interi nxjerr kështu në pah cilësitë kryesore të Kristjan Asllanit, i cili sot ka rinovuar marrëveshjen me zikaltërit deri në vitin 2028.
Klubi kujton se si që nga debutimi i tij, numri 21 është bërë një pjesë e çmuar për skuadrën e Simone Inzaghit, shkruan A2.
“Kristjan, ndeshje pas ndeshje, i krijoi vetes një vend të çmuar në fitimin e titullit kampion. Shqiptari u vu plotësisht në dispozicion të skuadrës, duke treguar të gjitha cilësitë e tij dhe gjithashtu duke gjetur gëzimin e pamasë për të shënuar golin e tij të parë me fanellën zikaltër, që erdhi në ndeshjen e fituar në San Siro ndaj Genoas 2-1. Një gjuajtje e fuqishme me këmbën e djathtë nga afër që nuk i la asnjë shans portierit ligur. Karriera e Kristjanit me fanellën zikaltër flet vetë, një profesionist shembullor dhe një talent në rritje të vazhdueshme që do të jetë ende në dispozicion për sezonet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Interit. (A2 Televizion)