“PS do t’i fitojë thellë të gjitha bashkitë”, Bido: Opozita sheh vetëm zi, Tirana një nga qytetet më vibrante në rajon

Nga A2 CNN
8 Tetor 2025, 22:12 | Politikë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme vendore Partia Socialiste pritet të fitojë të gjitha bashkitë me një diferencë të thellë, për shkak se opozita nuk ka arritur të prodhojë një alternativë serioze përballë qeverisjes aktuale.

I ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, Bido e quajti “fatkeqësi” mungesën e një gare të vërtetë politike, duke theksuar se dominimi i PS-së nuk vjen vetëm nga forca e saj elektorale, por edhe nga dobësia e kundërshtarëve.

“Është fatkeqësi që nuk kemi një garë të mirëfilltë. Ne e dimë që PS do t’i fitojë të gjitha bashkitë. Nuk ka një opozitë që të prodhojë një alternativë të besueshme”, u shpreh Bido.

Duke folur për Tiranën, deputeti socialist e përshkroi kryeqytetin si “një nga qytetet më vibrante të rajonit”, duke e krahasuar me qytetet fqinje. “Shqiptarët kanë parë zymtësinë e Podgoricës, asgjësinë e Shkupit dhe trafikun e Prishtinës, që është më i tmerrshëm se ai i Tiranës. Ndërkohë, Tirana po lëviz”, tha ai.

Bido shtoi se retorika e opozitës që përshkruan gjithçka me ngjyrë të zezë është arsyeja pse qytetarët nuk e besojnë më: “Po, mund të mos ketë shkollë në Astir, por janë ndërtuar 100 të tjera në qytet. Shqiptarët e shohin këtë ndryshim.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos