Një prej lojtarëve më të mirë të Argjentinës ka shkaktuar një skandal të vërtetë pas përdorimit të thirrjeve raciste gjatë festimeve për fitoren e Kupës së Amerikës. Enzo Fernandas kërkoi falje për termat ofendues që përdori ndaj lojtarëve të Francës, disa prej të cilëve, shokë skuadre me të te Chelsea. Këta të fundit reaguan duke e fshirë nga kontaktet e tyre në rrjetet sociale.
Çfarë ndodhi?
Mesfushori argjentinas u fut “live” në Instagram pas fitores në finalen e Kupës së Amerikës kundër Kolumbisë, duke kënduar një këngë ku ngacmohej Franca, skuadra të cilën Argjentina mundi në finalen e Botërorit 2022. Në tekstin e këngës përmendej që lojtarët e Francës vetëm pasaportat kanë franceze, pasi të gjithë janë me origjinë nga Afrika. 23-vjeçari kërkoi falje pas reagimeve të shumta që pati pas publikimit të videos.
Çfarë tha Fernandez?
Në një postim në Instagram Story, Fernandez tha: “Dua të kërkoj sinqerisht falje për videon e postuar në kanalin tim në Instagram. Kënga përfshin gjuhë tepër ofenduese dhe nuk ka justifikim për ato fjalë”.
Reagimi te Chelsea
Pas incidentit, disa lojtarë francezë të cilët luajnë me argjentinasin te Chelsea, e larguan nga lista e personave që ndiqnin në Instagram, mes tyre Wesley Fofana, Malo Gusto dhe Axel Disasi. Sipas raportimeve edhe lojtarët e tjerë te Chelsea janë të tërbuar me sjelljen e Fernandez, duke e quajtur racizëm. Reagim zyrtar pati edhe nga klubi, që thotë se dënon çdo lloj forme të sjelljes diskriminuese. (A2 Televizion)