Legjenda e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar, Sokol Kushta, në një intervistë për gazetaren Dea Kozma në A2 CNN foli për dy takimet tejet të rëndësishme të kombëtares shqiptare, ndaj Çekisë më 16 nëntor dhe 3 ditë më pas ndaj Ukrainës.
Kushta u shpreh optimist duke thënë se ndeshja e së shtunës ndaj Çekisë nuk ka asnjë lidhje me atë të humbur në Pragë. Ai beson se Shqipëria do të fitojë dhe do të jetë më pas 90 përqind në vendin e parë.
“Ka lojtarë me probleme fizike, por nuk duhet të shikojmë pas, por duhet të nxjerrim mësime nga gabimet. Prandaj ekipi kombëtar ka 20 e ca lojtarë. Boshllëqet mbushen me këta lojtarë të tjerë që janë të grumbulluar.
Ndeshja e tretë, ajo në Ceki ishte më e dobëta. Lojtarët, por edhe trajneri, u munduan ta justifikonin, por kur panë reagimet, më pëlqeu reagimi që bënë direkt me ndeshjen tjetër ndaj Gjeorgjisë. Kjo ndeshje nuk ka asnjë lidhje me ndeshjen e parë në Pragë, kjo ndeshje ka lidhje direkt me vazhdimësinë tonë. Fitorja nesër na jep një kualifikim 90 përqind. Ne na mjafton edhe një barazim me Ukrainën dhe besoj jemi të dalë. Unë them për momentin, 11 lojtarët që luajtën ndaj Gjeorgjisë janë më të mirët, do të kisha qejf edhe Muçin. Mendoj se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë sportive”, tha Kushta. (A2 Televizion)