Brazili dhe Argjentina zhgënjejnë në ndeshjet e 11-ta të kualifikueseve të Amerikës Jugore drejt Botërorit 2026. “Seleção” barazoi 1-1 në Venezuelë, ndërsa Argjentinës i shkoi edhe më keq, pasi u mposht me rezultatin2-1 në Paraguaji.
Pikërisht në momentin kur u dukën se nisën marshimin e pandalshëm, pas dy fitoreve me radhë, brazilianët u frenuan. Starti i mirë i ndeshjes dhe goli i avantazhit me Raphinha-n në fundin e pjesës së parë nuk mjaftuan.
Një perlë e numrit 10 nga goditje dënimi direkte. Megjithatë Venezuela kishte “xholin” Segovia, që i aktivizuar pas pushimit mes pjesëve, gjeti rrjetën e barazimit pas vetëm një minute në fushë. Vendimtare në hapin fals të Brazilit ishte penalltia e humbur nga Vinicius Junior në të 62-ën.
Edhe më e dobët paraqitja e Argjentinës. Me Leo Messin në fushë dhe pavarësisht avantazhit me Lautaro Martinez pas 10 minutave lojë, “albicelestët” u dorëzuan.
Sanabria me roveshatë dhe Alderete, përmbysën shifrat në favor të Paraguajit, duke i shkaktuar humbjen e tretë argjentinasve në këtë edicion.
Në ndeshjen tjetër, Ekuadori fitoi 4-0 me Bolivinë. Me këto rezultate, Argjentina mbetet në krye të grupit me 22 pikë, por rrezikon të kapet nga Kolumbia. Në anën tjetër, Brazili që u ngjit në vendin e tretë me 17pikë, rrezikon ta humbasë pozicionin nëse Uruguaji fiton. (A2 Televizion)