Në letër, drejtësia shqiptare ecën përpara... në realitet, hijet e vjetra ende përpiqen të ngadalësojnë hapin e saj. Politikanë që ushtrojnë presion, vendime të Gjykatës Kushtetuese që nuk zbatohen, dhe institucione të pavarura që presin ende të rigjallërohen. Kështu mund të përmblidhet raporti përfundimtar i Komisionit Evropian për vitin 2025 mbi “Sundimin e ligjit në Shqipëri.”
Në dokumentin 23-faqësh, një duzinë rreshtash “i kushtohen” sulmeve ndaj Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Ndërsa qëndrueshmëria e sistemit gjyqësor vijon të përmirësohet, përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim dhe presion mbi sistemin gjyqësor mbeten shqetësuese serioze. Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, në shkurt 2025 nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, shkaktoi reagime publike të paprecedentë nga zyrtarë ekzekutive dhe legjislative, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion mbi SPAK dhe institucionet gjyqësore. Kjo ngre shqetësime serioze”, thekson raporti i KE-së.
Duke analizuar përpjekjet anti-korrupsion të qeverisë në raportin e Komisionit Europian thuhet:
“Strategjia Kundër Korrupsionit për vitet 2024-2030 është miratuar. Korniza ligjore për të luftuar korrupsionin është gjerësisht e vendosur, por legjislacioni për parandalimin e korrupsionit duhet të plotësohet”, thuhet në raportin e KE-së
I menduar si një mekanizëm për të çuar më tej reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, Komisioni Anti-korrupsioni, njohur edhe si “Komisioni Xhafaj”, nuk ka arritur të fitojë besimin e institucioneve të drejtësisë. Ato preferuan të shmangin përballjen direkte, duke komunikuar vetëm përmes shkresave formale. Komisioni Europian, në raportin e tij më të fundit, ngre shqetësime të qarta për funksionimin dhe ndikimin real të këtij mekanizmi."
“Ka mangësi lidhur me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit ad hoc parlamentar për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Shumica e institucioneve të drejtësisë vendosën të angazhohen me komisionin vetëm në mënyrë formale, me shkrim, duke shprehur shqetësime për procesin dhe çështje kushtetuese si pavarësia e tyre dhe detyrimet e përcaktuara për raportim ndaj Kuvendit”, thekson raporti i KE.
Gjykata Kushtetuese sipas draft raportit të Komisionit Europian, vazhdoi të funksionojë në mënyrë efektive, ndonëse jo pa pengesa “nëpër këmbë”
“Gjykata Kushtetuese vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive, megjithatë ekzistojnë shqetësime në lidhje me dështimin e vazhdueshëm të Kuvendit për të zbatuar disa nga vendimet e saj, si dhe pasiguri ligjore për kohëzgjatjen e saktë të mandateve të anëtarëve të saj. Mandatet e Avokatit të Popullit dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ende nuk janë rinovuar”, thuhet në raport.
Raporti i Komisionit Europian për Sundimin e Ligjit në Shqipëri nënvizon progreset e arritura, por thekson edhe sfidat e vazhdueshme që mbeten përpara. Përmirësimi i qëndrueshmërisë së sistemit gjyqësor, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rinovimi i mandateve të institucioneve të pavarura janë hapa thelbësorë për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Në mungesë të përparimeve të qëndrueshme dhe zbatimit të plotë të reformave, sfidat ndaj sundimit të ligjit do të vazhdojnë të ndikojnë në besueshmërinë dhe integrimin europian të Shqipërisë. (A2 Televizion)