Transferimi i bujshëm, Partizani shet Maguette 700 mijë euro te klubi që krijoi La Liga-n

Nga Erald Kodhelaj
22 Gusht 2024, 11:41 | Futboll

Transferimi i bujshëm, Partizani shet Maguette 700 mijë euro te klubi

Edhe pse sezoni i ri ka nisur, Partizani realizon një transferim të bujshëm në merkato. Klubi kryeqytetas finalizoi shitjen e Maguette Gueye në kampionatin spanjoll.

Mesfushori 21-vjeçar, i cili ka qenë një prej shtyllave të të kuqve në edicionet e fundit, u shit te Racing Santander. Këta të fundit, që janë një klub me histori mbi 110 vjeçare dhe mes themeluesve të La Liga-s spanjolle, arritën akordin financiar për senegalezin.

Partizani përfiton plot 700 mijë euro nga Maguette. Në anën tjetër, futbollisti firmos kontratën 4-vjeçare me Racing, me kohëzgjatje deri në vitin 2028 dhe do të aktivizohet menjëherë në Ligën 2 spanjolle.

Mesfushori i është bashkuar demave prej vitit 2021, kur ishte vetëm 18-vjeç. Pas dy viteve të para të vështira, mes polemikave dhe problemeve me klubin për hapësirat e pakta në fushë dhe sjelljen jo-profesionale, lojtari arriti më në fund të shpërthente. Maguette u kthye në një prej yjeve të skuadrës kryeqytetase.

Ky është një transferim i bujshëm për të kuqtë, si për garancinë që ka krijuar klubi në arenën ndërkombëtare, por edhe për të mbushur arkat.

Tani sfida reale te Partizani mbetet zëvendësimi i Maguette me një alternativë po aq cilësore. Synimi është që skuadra të mbetet konkurruese, për të luftuar edhe në këtë sezon për titullin kampion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos