Armando Broja është i etur për t'u treguar tifozëve të Evertonit futbollin e tij më të mirë, pasi sulmuesi i ri i “Bluve” u zotua të japë gjithçka për ta çuar klubin drejt një të ardhmeje emocionuese.
22-vjeçari shqiptar kaloi nga Chelsea te Everton në një huazim për një sezon, me opsionin për ta bërë të përhershme lëvizjen, siç raporton A2.
“Broja mbërrin në Merseyside i sigurt se do të ndihmojë trajnerin Sean Dyche dhe skuadrën e tij të shijojnë ditë të bukura në të ardhmen”, shkruan faqja zyrtare e Evertonit.
Broja aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim që e la jashtë ndeshjeve të Kombëtares të vlefshme për Nations League.
Për everton.tv, Broja u shpreh: “Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të filloj punën me grupin. Unë mendoj se ka një ekip të fortë këtu, një përzierje lojtarësh të rinj dhe me përvojë. Është një mjedis fantastik për mua. Evertoni është një klub me një histori masive dhe është e mrekullueshme për mua që jam këtu”.
“Si lojtar dhe veçanërisht si lojtar i ri ndihesh mirë kur je i kërkuar dhe kjo është mënyra se si Evertoni më ka bërë të ndihem që nga dita e parë. Ata më kanë dashur vërtet dhe më kanë thënë pse më kanë dashur. Kjo të bën të ndihesh vërtet i lumtur dhe krenar. Ndoshta fillimi i sezonit nuk ka shkuar ashtu siç dëshironim por ne patjetër mund ta kthejmë atë me skuadrën dhe menaxherin që kemi këtu. Sigurisht që ndihem sikur do të ketë shumë ditë pozitive përpara dhe jam duke u fokusuar vetëm në rikthimin dhe integrimin me ekipin”, shtoi Broja.
Më tej, Broja vijoi: “Dua të lë përshtypje edhe te tifozët duke shënuar gola, duke krijuar raste, duke treguar lojën pa top, duke qenë agresiv si sulmues dhe duke ndihmuar skuadrën në çdo mënyrë që mundem. Dua të hyj dhe të ndërtoj një marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët, me shokët e mi dhe me stafin e trajnerëve. Kur ndihesh si në shtëpi dhe ndihesh i lumtur, atëherë luan futbollin tënd më të mirë. Dua të tregoj më të mirën time këtu, dua të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur dhe ta ndihmoj skuadrën të përfundojë sa më lart në Premier League dhe shpresoj se mund të kemi një sezon të suksesshëm. Mendoj se jam një lojtar mjaft i shpejtë. Më pëlqen të vrapoj dhe të jem agresiv. Natyrisht, më pëlqen të shënoj gola dhe më pëlqen të ndihmoj skuadrën me aksione dhe të përfshihem vërtet. Mund të vrapoj, të pres dhe të jem agresiv edhe pa top. Do të jap gjithçka për klubin, për tifozët dhe për shokët e skuadrës.”
I lindur në Slough nga prindër shqiptarë, Broja erdhi në akademinë e Chelsea dhe bëri debutimin e tij për londinezët kundër Evertonit në mars 2020, në moshën 18-vjeçare.
“Konkurrenca për vende është gjithmonë e shëndetshme. Të gjithë e dinë se në klubet kryesore, gjithmonë do të keni një numër sulmuesish që me të vërtetë po e shtyjnë njëri-tjetrin. Ajo sjell vetëm më të mirën te lojtarët dhe do të sjellë vetëm më të mirën tek unë. Shpresojmë që të na japë rezultate më pozitive.” (A2 Televizion)