Xhuliano Skuka gati të rikthehet tek Partizani

Nga Dea Kozma
4 Janar 2024, 10:51 | Futboll

Xhuliano Skuka gati të rikthehet tek Partizani

Merkatoja e dimrit ka nisur me shumë surpriza në futbollin shqiptar. Vetëm zyrtarizimi mungon, Xhuliano Skuka është gati të rikthehet tek Partizani, ndërsa marrëveshja është vetëm në detajet finale.

Idhulli i tifozëve të kuq ka shprehur gjithmonë marrëdhenien pozitive që ka me klubin, lojtarët dhe stafin drejtues. Skuka e ka mbyllur bashkëpunimin me Mariborin dhe do të rikthehet në klubin francez të Metz, por me shumë gjasa lojtari do të huazohet sërish për shkak se nuk është në planet e skuadrës. Mungesa e hapësirave tek Metz ka bërë që lojtari ta mendojë seriozisht rikthimin tek “Demat e kuq” dhe burime pranë klubit bëjnë me dije se futbollisti mund t’i bashkohet skuadrës në Turqi për të zhvilluar dhe fazën përgatitore.

Për ta konfirmuar dhe më shumë këtë lajm ka menduar kapiteni i skuadrës, Valentino Murataj, i cili ka postuar një foto në Instagram ku pozon me sulmuesin dibran. Mbetet për t’u parë nëse futbollisti do të zyrtarizohet si goditja e madhe e skuadrës së kuqe.

Nga ana tjetër, Eros Grzeda, pasi i dha lamtumirën Partizanit, është prezantuar si futbollisti më i ri i Rudes, në Kroaci. Shqiptari do të jetë pjesë e skuadrës kroate deri në fund të sezonit dhe nëse objektivi mbijetesë arrihet, atëherë me shumë gjasa Grezda mund të rinovojë kontratën të paktën dhe për një sezon tjetër. Aktualisht, Rudes ndodhet në vendin e fundit të renditjes, me 4 pikë, 14 pikë larg nga vendi i parafundit në elitën e futbollit kroat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos