
Një përballje që garanton emocione me gjigantë të futbollit botëror që do të zbresin në fushë. Spanja dhe Anglia do të përballen së bashku në Ligën e Kombeve në duelin që do të luhet në Wembley.
Së fundmi, dy trajnerët kanë publikuar dhe listën e lojtarëve të thirrur. Kampionia e botës, Spanja e Luis de la Fuente, ruan pjesën më të madhe të grupit që ngriti trofeun në verë, por disa emra të njohur mungojnë.
Jashtë listës kanë mbetur Gavi dhe Borja Iglesias, ndërsa portieri Joan García mungon për shkak të dëmtimit. Jashtë ka mbetur dhe Marcos Llorente, i cili prej disa kohësh, ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja.
Surpriza është portieri i Interit, Josep Martínez, që merr për herë të parë ftesën, ndërsa rikthehen në kombëtare Huijsen dhe Fermín López, ky i fundit pasi humbi Botërorin për shkak të dëmtimit. Një tjetër emër i ri është sulmuesi Roberto Fernández, i cili ka nisur sezonin me gjashtë gola për Espanyolin.
Spanja do ta nisë aventurën në Ligën e Kombeve pikërisht ndaj Anglisë, më 26 shtator në Wembley. Edhe Thomas Tuchel ka bërë një revolucion te Anglia. Trajneri gjerman ka grumbulluar 27 lojtarë dhe ka bërë dhjetë ndryshime krahasuar me grupin e Botërorit.
Rikthimi më i bujshëm është ai i Trent Alexander-Arnold, i cili vjen sërish në kombëtare që prej qershorit 2025. Nga ana tjetër, dy emra me shumë peshë mungojnë: John Stones dhe Jordan Henderson.
Dueli me Spanjën në Wembley më 26 shtator do të jetë prova e vërtetë e teknikut Tomas Tuhel, përpara ndeshjeve me Çekinë dhe Kroacinë. Dy gjigantë të futbollit botëror takohen menjëherë në start të Ligës së Kombeve, në një përballje që garanton emocione të mëdha deri në fund. (A2 Televizion)